Nga Nada Biraçi
Fotografia: Genti Onuzi
Ajo është në krye të një prej fakulteteve më të rëndësishme në vend, godinë nga e cila dalin përfaqësuesit e ligjit shqiptar. Dorina Hoxha, dekania e Fakultetit të Drejtësisë rrëfen për “Bordo” sfidat e një vajze të re, që duket se ka 'jetuar' në auditore për t'u kthyer shumë shpejt në një grua të suksesshme, e cila refuzon të krijojë marrëdhënie profesionale, pa krijuar së pari ato njerëzore. Një formulë që duket se për drejtuesen e Juridikut ka rezultuar më shumë se e suksesshme.
Dorina ju në krye të një prej fakulteteve më të rëndësishme në vend, godinë nga e cila dalin përfaqësuesit e ligjit shqiptar. Ka sfida ky post? Cilat janë?
Besoj se të qenit në krye të një fakulteti, nuk përbën ndryshim të madh në varësi të degëve, pasi secili drejtues e ka të qartë se sa i rëndësishëm dhe sfidues është edukimi dhe formimi i një brezi të ri, të shëndetshëm për të ardhmen e shoqërisë. Patjetër që posti ka sfidat e veta, sepse duhet të justifikosh besimin e kolegëve e të studentëve që të kanë mbështetur, të ruash raportet dhe ekuilibrat me kolegët, të ndërtosh ura komunikimi me studentët, të gjesh rrugë dhe mundësi për shkëmbim eksperiencash me homologë jashtë dhe patjetër të investosh energji, përkushtim, disiplinë për të qenë edhe një model frymëzimi në mësimdhënie.
Juridiku vijon të mbetet një ndër degët më të lakmuara për studentet që duan të kryejnë studimet e larta. Pse?
Besoj se fusha e gjerë e veprimtarisë profesionale, mundësia për ta ushtruar profesionin edhe individualisht si avokat/e, konsulent/e. Rritja e numrit të sipërmarrjeve ndër vite ka nxitur nevojën për rekrutimin në masë për juristë. Patjetër edhe ambicia për të prekur majat më të larta të sistemit të drejtësisë si prokurorë apo gjyqtarë.
Jam kurioze të di, një grua në post kaq të rëndësishëm, si shihet nga burrat?
Unë asnjëherë nuk kam dashur të udhëhiqem nga supremacia apo inferioriteti për shkak të gjinisë. S’i kam ndarë njerëzit në burra dhe gra, por në njerëz që munden dhe nuk munden. Nuk e kam ndjerë aspak këtë, sepse në Fakultet nuk erdha direkt Dekane. E kam nisur prej vitesh si pedagoge e jashtme, si pedagoge e brendshme, si shefe departamenti. Pra, duke qenë për një kohë të gjatë, krahas marrëdhënies profesionale, kam ndërtuar edhe atë njerëzore.
Ju jeni një grua e re në moshë, por CV-ja juaj është tejet e ngjeshur. Dorina duket sikur keni 'jetuar' në shkollë. Çfarë sakrificash kujtoni si studente jashtë Shqipërisë?
Unë e kam dashur shkollën. Nuk e kam parë atë si një detyrim që e kisha marrë përsipër dhe duhet ta çoja deri në fund. Kam lexuar dhe kam pyetur pa përtuar; kam qenë kurioze dhe thellë brenda vetes kam dashur të kem kontroll për pyetje dhe situata të ndryshme. Jam fëmija i tretë, një motër pas dy vëllezërve, që edhe të doja, nuk kisha shumë mundësi për të kaluar kohë të lirë ndryshe. Historia ime e shkollës së mesme është shumë e ngjashme me çdo fëmijë të lindur në vitet 80, adoleshentët e 90-s përjetuan vitin 1997, ku për të “vrarë” kohën, dy mundësi kishe: o të lexoje, o të lexoje. Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë. Unë më shumë kam jetuar jashtë dhe vetëm, në një moshë fare të re, të vogël do të thosha, ku u nisa në SHBA dhe kam jetuar në një familje atje dhe pastaj në Universitet në Itali, ku studioja për bursë dhe punoja për t’i shtuar disa të ardhura shpenzimeve të jetës sime. Mendoj se nuk kam bërë sakrifica vetëflijuese. Kam bërë atë që ka bërë dhe do të bënte kushdo, me ide të qarta që ka vetëm një rrugë për t’u bërë ajo që do: puna sistematike dhe sigurisht kjo nuk është rrugë e shkurtër dhe e lehtë.
Pengje keni? Ndoshta ca kënaqësi moshe nga të cilat ju është dashur të hiqni dorë?
Është me natyrë. Në përgjithësi kam qenë dhe jam natyrë diskrete dhe introverte. Ndoshta kam humbur argëtimet e moshës, por që të jem e sinqertë, nuk jam e sigurt nëse kam humbur diçka që kam dashur vërtet.
Jeni nënë e dy fëmijëve, të cilët po ashtu duan vëmendjen dhe përkujdesjen tuaj…
Patjetër që edhe mua, si shumë gra të tjera, përveç punës së përditshme, më presin punët në familje. Jam nënë e dy fëmijëve, Gerdi dhe Arla, dhe me bashkëshortin përpiqemi t’u japim atyre kohën e duhur. Janë sfidat e çdo prindi fëmijësh adoleshentë e paraadoleshentë.
Puna juaj me siguri ju merr shumë orë nga dita. Pyetja që u bëhet shpesh grave në karrierë është; Si e menaxhoni kohën mes karrierës dhe jetës suaj private?
Sigurisht më e vështirë ka qenë kur fëmijët ishin të vegjël. Tani janë më të pavarur, kujdesen vetë për nevojat e tyre të ditës. Ne përpiqemi t’u rrimë afër, t’i ndihmojë duke i orientuar drejt talenteve dhe pasioneve të tyre dhe mbi të gjitha, të ruajmë një komunikim të vazhdueshëm me secilin prej tyre.
A është e mundur të shkëlqesh në karrierë dhe në familje njësoj?
Unë nuk besoj te shkëlqimi. Ne jemi qenie që natyra na ka pajisur me rrezikun të gabojmë. Mendoj që është e mundur t’i kryesh detyrat dhe funksionet shumë mirë, sidomos edhe me mbështetjen e familjes dhe të afërmve.
Dorina duke qenë se jemi në muajin mars, mund të jepni një mesazh për gratë?
Shumë respekt dhe dashuri për veten dhe mbi të gjitha, mbështetje për njëra-tjetrën.