Fotografia: Gent Onuzi
Ka vetëm pak kohë që është hedhur në lëmin artistik e me gjithë frikërat apo pasiguritë që i sjell kjo botë ende e panjohur për të, Frank ka ditur të krijojë autencitetin që i duhet një artisti të suksesshëm. Rrokeri i ri ka kopsitur në formë perfekte të gjitha komponentët duke nisur nga ngjyra e veçantë e zërit, zhaneri që ka zgjedhur të lëvrojë, paraqitjet e guximshme skenike, e deri tek interpretimi.
Frank, si ishte eksperienca në Këngën Magjike?
Hera e parë në Festivalin më madhor shqiptar. Një ëndërr e bërë realitet. Eksperiencë që tek unë ka lënë shumë mbresë dhe emocione që do të mbeten gjatë në memorie. Mendoj se është vendi i duhur për të gjithë artistët, që të ndihen vërtet artistë e të vlerësuar nën kujdesin e një stafi profesionistësh të vërtetë. Producentë, skenografë, designers, koordinatorë, inxhinierë teknikë, sound-i, ndriçimi, e shumë e shumë të tjerë. Me pak fjalë ndihesh si “veshka mes dhjamit”, i kuruar në detaje dhe gati për të hipur e për të performuar në skenë.
E pretendoje çmimin “Best New Artist”?
Po. E pretendoja, e dëshiroja, e çmoja. Mendoj se ashtu si të gjithë “New Artist-at” e tjerë, garoja për të fituar atë çmim, që në mendjen e gjithsecilit që konkurronte në këtë kategori ishte i merituar. Gara në fund arriti në pikën që kushdo që e fitonte, e kishte realisht mëse të merituar atë çmim me një unanimitet mendimesh.
Si shpesh në “Këngën Magjike” edhe këtë vit pati artistë të pakënaqur nga pikët e kolegëve të tyre. Për Frankun pati pakënaqësi të tilla?
Jo të them të drejtën. Unë isha futur për të garuar kryesisht për çmimin Best New Artist, dhe jo për atë të Parë. Duke qenë se ishte pjesëmarrja ime e parë në festival, preferova të qëndroja tërësisht ulur “këmbëkryq me këmbë në tokë” dhe të shijoja benefitet e këngës sime të parë, që, pavarësisht se mendoj që meritonte të vlerësohej më shumë, mendoj se më bëri të fitoja pak më shumë territor në hapësirën e madhe artistike-muzikore shqiptare. Në fund të fundit shkova për të treguar një Frank që nuk e kisha shfaqur më parë. Atë krijues, atë emocional.
Duke qenë se ke pak kohë që je hedhur në këtë lëmë, si po të duket kjo bota artistike?
Nuk më pëlqen ta mendoj apo ta trajtoj si botë artistike, në fakt. Të gjithë jetojmë në të njëjtën botë dhe të gjithë jemi njerëz të thjeshtë në fund të ditës. Më pëlqen t’ia kujtoj gjithmonë vetes sesa i barabartë jam me këdo, pavarësisht faktit se hipi në skenë, e bëj atë që shumëkush mund ta konsiderojë si rrugën drejt të qenurit VIP. Unë nuk jam VIP. Për mua VIP janë ata që me të vërtetë i kanë hapur një rrugë apo drejtim të ri njerëzimit. Nëse do të më pyesnit për muzikën? Ah, falënderoj Zotin që më futi dhe më dha fatin për t’u marr me muzikë, dhe që gjithë ndjenjat dhe emocionet e mia t’i shfryj aty. Ndihet si sureale shumë shpesh.
Ka diçka që të tremb, apo të bën më shumë përshtypje?
Po, në fakt. Kur mendoj se si është rruga drejt suksesit platonik, trembem dhe kam frikë se gjithë energjitë dhe mundet e mia mund dhe të mos ecin, duke patur parasysh që tregu dhe konkurrenca është egërsisht e fortë.
Rryma që ti ke zgjedhur ka një publik paksa të kufizuar. Do të eksperimentoje me një zhaner që ka një targetgrup pak me të gjerë?
Fillimisht mendoj se dua të shfaq Frankun e vërtetë. Pasi të mbaroj çfarë dua unë të shpreh me muzikën time, ku i dihet se çfarë hapi do të hedh. Ku i dihet në do të mbarojë apo jo gjithçkaja e të shprehurit tim...
Ti je një artist i ri. Në ç'mënyrë e ke menduar të 'lundrosh' suksesshëm në botën artistike?
Sa pyetje e bukur! Nuk e kam menduar ndonjëherë me shumë detaje këtë gjë. Të them të drejtën, e vetmja gjë që kam menduar të paktën për të qëndruar sa më gjatë në këtë “botën artistikë” (se nuk mund të them sa më suksesshëm), është duke përcjellë thjesht dhe vetëm copëza të vërteta shpirtërore dhe mendimtare nga Franku. Të përpiqem të bëj muzikë të mirë, të shëndetshme, edukative për të gjithë veshët dhe mendjet shqipfolëse e jo vetëm.
Me cilët nga artistët shqiptarë do të doje të kishe një bashkëpunim?
Me Eugent Bushpepën dhe Alban Skënderajn.
Pamja e jashtme është një element shumë i rëndësishëm për një artist. Kemi vënë re që ti ke krijuar një pamje tejet autentike në daljet e tua. Çfarë ka ndikuar për të krijuar stilin tënd të veshjes?
Faleminderit shumë! Në radhë të parë duhet falënderuar Joni Peçi për përkujdesjen e paraqitjes sime skenike. Së dyti, si dashnor i mendimit të të qenurit autentik, mendoj se ashtu si në muzikë, në nota, në performancë, e në gjithçka tjetër edhe jashtë botës së artit, edhe veshja është një mënyrë për të shfaqur autenticitetin tënd. Së treti, nuk e di të them të drejtën çfarë ka ndikuar në autenticitetin tim hahahah...bëj shaka. Ndoshta mënyra sesi më ka edukuar familja?
Rrjeta, xixa, temina janë elementë veshjeje që nuk i hasim shpesh tek artistët meshkuj në Shqipëri. Te një rroker si Franku, këto elemente duket se rrinë fort mirë.
Faleminderit shumë, vërtet! Veshje të çuditshme për një person të çuditshëm (qesh)!
Çfarë tregon sipas teje një veshje skenike?
Pikërisht autenticitetin e artistit.
Po në përditshmëri, çfarë stili veshje preferon?
Shiko, varet. Ka ditë që dal me rroba shtëpie. Zakonisht çizmet e lëkurës dhe xhinset e zeza nuk i ndaj.
Aktualisht me çfarë po merresh sa i takon këngës?
Po punoj me band-in tim, shokët e mi të ngushtë, të cilët më pëlqen t’i thërras “vëllezërit e së njëjtës ëndërr”, që së bashku me ta, të nxjerrim një album.
Do të kemi ndonjë videoklip?
Më shumë mundësi, së shpejti.
Ka një artist shqiptar apo të huaj nga i cili frymëzohesh?
Skenikisht, Harry Styles. Muzikalisht, pothuajse gjithë vitet e Gold Music '60-'90.