Edhe pse pas një karrierë mbi 32-vjeçare, puna është bërë thjesht një rutinë për stilisten e njohur shqiptare, Mirela Nurçe, kur bëhet fjalë për një rikthim në vendin e saj, sigurisht që emocionet janë të mëdha. Ky fund tetori e gjeti stilisten e njohur me një sfilatë në kryeqytet me temë Perandorinë Otomane, gjë të cilën kishte shumë vite që e mendonte dhe më në fund u bë realitet. Në një bisedë me revistën “Bordo” stilistja Mirela Nurçe ndan pasionin dhe përkushtimin që karakterizojnë çdo koleksion të saj, përvojat ndërkombëtare, sukseset dhe vështirësitë e industrisë së modës, si dhe vizionin e saj për të ardhmen.
Mirela, këtë fund tetori u rikthyet në Shqipëri me sfilatën tuaj, si shkoi?
Ishte një rikthim pas 8 vitesh dhe fatmirësisht çdo gjë shkoi mirë.
Çfarë emocioni është pas kaq vitesh ta ndani krijimtarinë tuaj me publikun e gjerë?
Të jem realiste, pas disa vitesh punë njeriu bëhet më i ftohtë dhe ajo është një gjë rutinë. Sigurisht që ka një ndryshim nga gjithë vendet e tjera që është vendi yt. Pavarësisht se andej është tamam industria, këtu ke tjetër gjë, mbase unë nuk di ta shpjegoj, por ka shumë gjëra që ty të bëjnë të ndihesh edhe mirë, por edhe keq njëkohësisht. Bëhesh edhe më kërkuese ndaj vetes. Kishe ankth, tension, emocion se si do shkonte? Po i kisha të gjitha bashkë, nuk po dija çfarë ishte më saktë, mbase ka qenë akumulimi i emocioneve që nuk i kam shpalosur në vendin tim. Gjithçka ishte shumë e organizuar nga COD, kisha siklet, shumë siklet.
Cila ishte tematika e sfilatës?
Tematika ishte mbi Perandorinë Otomane, një gjë që unë kisha shumë vite që e mendoja për ta bërë dhe më në fund vjet e kam realizuar. Pasi si koleksion nuk është i sivjetshëm, është i vitit të kaluar. Nuk është thjesht një koleksion për industrinë e fashion, por është sikur ke bërë një koleksion për piktura, për t’i shfaqur në një ekspozitë. Është një koleksion pa kohë, thjesht me një tematikë. Ju prej vitesh jetoni në SHBA, një ëndërr e hershme kjo e juaja, si po ju shkon puna, jeta? Unë kam vite që jetën e ndaj midis Nju-Jorkut dhe Tiranës. Për efekte dokumentacioni ka qenë e zvarritur kjo pjesë. Më në fund i kam marrë, çuditërisht nuk kam dashur kurrë të jetoj në Shqipëri, por këto kohët e fundit duke qëndruar shumë këtu, ka filluar të më pëlqejë. Dhe besoj se prapë do të vazhdoj ta ndaj jetën mes dy vendeve.
Çfarë vëreni midis stilistëve në Amerikë dhe këtu?
Jo stilistëve, sesa modës në përgjithësi. Ne nuk kemi industri të mirëfilltë dhe nuk kemi një konkurrencë të mirëfilltë. Ne e kemi të bazuar modën thjesht në atelier, duhet që të jemi më të hapur, të luftojmë më shumë që të jemi përballë fashion-it në botë, industrisë që është shumë e vështirë, por është dhe shumë e bukur. Atje tregohet se çfarë ti bën, nuk është vetëm punë, është dhe pak fat, që shumë njerëz e anashkalojnë. A i jepet merita e duhur stilistit në Amerikë apo thjesht konsumojnë modë të shpejtë, veshje, edhe e lënë mënjanë këtë pjesën e vlerësimit të vetë stilistit që ka krijuar koleksionin? Jo e vlerësojnë, e vlerësojnë shumë. Është një shoqëri konsumatore dihet. Moda e vërtetë është në Europë, por shitjet i ka Amerika. Dhe realisht e vlerësojnë goxha.
Cili ka qenë projekti apo sfilata më e rëndësishme që keni patur në Amerikë?
Të gjitha sfilatat për një stilist janë pothuajse të gjitha njëlloj, të paktën dy sfilatat e mia të fundit. Kanë qenë nga 9 rajone të botës që unë jam marrë, jam inspiruar dhe i kam sjellë në koleksion. Sa vite kanë kaluar nga sfilata juaj e parë? 5 maj të vitit ‘92. Mbi 32 vite.
Cili ka qenë personazhi që ju ka pëlqyer më shumë që e keni veshur ose që ju ka bërë më shumë krenare?
Nuk di ta them këtë gjë, kam veshur shumë personazhe të huaj edhe shqiptarë. Mund të kem veshur dhe njerëzit më të famshëm mbase të momentit, por gjëja që është më e rëndësishme është thjeshtësia e njeriut. Më kujtohet kur Elisabetta Rosellini, erdhi me një staf prej 5 vetash dhe na gjeti në një moment që ishim duke ngrënë diçka për mëngjes para fotografive. Ajo për të na relaksuar pasi u tensionuam të gjithë, tha, “mund të marr diçka se kam ikur nga shtëpia pa mëngjes”. Të gjithë u qetësuam dhe kaloi shumë mirë si ‘shoot’.
Cila është sfilata që ju ka mbetur në mendje, si më e veçanta?
Më e veçanta është Fashion Week në Milano para disa vitesh. Ka qenë një tmerr i vërtetë për mua, sepse për të hyrë atje duhet të kaloje në shumë filtra dhe arriti një moment që unë thashë ‘okay’ nuk dua më, nuk kam më interes, sepse u lodha shumë dhe u stresova nga materiali që ata kërkonin. Pasi mbarova show-n u ktheva në Shqipëri dhe një shoqja ime që jeton në Itali, më merr dhe më thotë se nga kritika ke dalë në gazetat italiane. Kjo ka mbetur një nga sfilatat e mia, që kam patur një emocion të mirë dhe të keq bashkë.
Cili është ai element në krijimtarinë tuaj dhe koleksionet e tua që ju dallon nga stilistët e tjerë, që dikush mund të shohë koleksionin ose veshjet tuaja dhe të thotë, është Mirela Nurçe?
Unë punoj shumë mbi motivet tradicionale, por jo vetëm unë, të gjithë kolegët e mi. Unë punoj shumë mbi xhaketat dhe palltot se ngaqë janë dhe më të vështira, kam një lloj sfide me veten. Punoj me jakat, me mëngët dhe te prerja. Unë mundohem të punoj me prerjen italiane gjë që është pak e bezdisur për gjithë dizajnët, sepse të harxhon shumë kohë, ka goxha probleme, njëkohësisht ka dhe kënaqësi. Gjithsesi janë njerëzit ata që më vlerësojnë, më dallojnë apo s’më dallojnë. Por them se ia kam arritur deri diku.
Në synimet që keni patur si stiliste, i keni realizuar të gjithë objektivat? Ju ka mbetur diçka peng, pishman që se keni bërë? Unë jam shenja e Bricjapit, edhe ne jemi disi të çmendur që nuk na pëlqen asnjë gjë e jona. Kështu që mua deri tani, më duket sikur nuk kam bërë asnjë gjë. Mundohem përditë të bëj diçka. I kam dhënë një premtim vetes, që do të luftoj deri në minutën e fundit sa të kem jetë. Nuk e di sa do ta realizoj..
Nisni nga puna për sfilatën tjetër. Kur do të jetë ose çfarë planesh keni tani për të ardhmen?
Në këto momente, unë kam hyrë në industrinë e fashion-it dhe në shkurt duhet të jem patjetër në një aktivitet. Sigurisht edhe në shtator, kjo është rutinë për çdo stilist, me shpresë të Zotit, ishalla do të jem në shkurt me koleksionin tim.