KreuCelebrity

Rikthimi i Helena Kadaresë

“Ndjej se i sheh gjërat që ndodhin dhe them se do t’i pëlqente. Mund të them se krahas asaj mungese, kam një lloj çlirimi që nuk kam syrin e tij kritik”

Rikthimi i Helena Kadaresë

Shkrimtarja Helena Kadare u rikthye sërish këtë nëntor në këndin e botimeve Onufri, por pa bashkëshortin, gjeniun e letërsisë shqiptare, Ismail Kadare. Vetëm 4 muaj, pas largimit nga jeta, përpos dhimbjes, Helena Kadare ka vendosur të kthehet me një libër të ri. Shkrimi i librit ka qenë si një terapi për të, në një periudhë të vështirë që po kalonte pas humbjes së bashkëshortit, por gjithsesi thuajse në dy muaj ajo nxori në dritë botimin e saj më të ri, me titull “Krimineli nga Kadizi”. “Gjatë kësaj periudhe, bashkë me botuesin, jemi munduar, që në disa libra me tregime që i kam patur ndër vite, të zgjidhnim më të mirat e tyre në një vëllim të vetëm dhe t’i botonim për Panair. Mirëpo ngjarjet që ndodhën me Ismailin nuk më dhanë mundësinë, nuk isha e përqendruar, nuk kisha kohën e duhur. Atëherë kam një bllok shënimesh, ku mbaj tema të ndryshme, kapa dy tema për të hequr mendjen dhe si një terapi për shpirtin tim, mora të shkruaj këto dy tregime”, është shprehur shkrimtarja në media.

Duke gërmuar mes shkrimeve të saj të hershme, ajo ka rigjetur aty gjithë tharmin që ka krijuar më pas, edhe dy tregimet e saj, të cilat me gjasë ndoshta nuk do të kishin dalë kurrë në dritë, nëse këmbëngulja e botuesit nuk do të kishte qenë aq e madhe. Ndaj i është kthyer blloqeve ndër vite të shënimeve, për të nxjerrë prej andej esencën e këtij libri me tregime. Në çdo faqe ka këqyrë me vëmendje copëza të cilat kanë arritur dalëngadalë të krijojnë gjithë mozaikun: ngjarjet dhe personazhet, të gjitha rreth një teme që ajo kishte zgjedhur qysh në fillim. Orët e gjata që kalonte krah Ismailit dikur, janë zëvendësuar me orë të tëra të shkruari, edhe pse siç shprehet, ndryshe nga më parë, kur e dinte që pasi të mbaronte një libër, ishte gjeniu që do ta shihte i pari, tani gjithçka e kishte Helena në dorë. I është dashur të marrë vendimin e madh para se libri të shkonte në shtypshkronjë, pa sugjerimet që do t’i kishte dashur aq shumë. Por, njësoj si atëherë kur botoi e vetme “Një lindje e vështirë”, librin e saj të parë, edhe këtë herë, gjithçka do ta bënte, si asokohe kur e nisi rrugën drejt letërsisë. “Ndjej këtë gjë, se po ta shihte Ismaili dhe ndjej se i sheh gjërat që ndodhin, them se do t’i pëlqente, por mund të them se krahas asaj mungese, kam një lloj çlirimi që nuk kam syrin e tij kritik, për herë të parë u ndjeva e çliruar nga ky ankth, a do ta pëlqejë apo jo?”, tha Helena Kadare. Ndonëse i mungon prania dhe kritika e gjeniut, Helena tregon se nga ana tjetër, kjo periudhë ka qenë e vështirë pa vështrimin e tij, por ama shkrimi e leximi e ka ndihmuar në vetminë që vulos mungesa e Ismail Kadaresë.

Rikthimi i Helena Kadaresë

“Po afronte Panairi dhe unë kisha disa tema të elaburuara, ndaj hapa blloqet e mia dhe midis tyre gjeta dy tema. Ato janë shkruar gjatë muajit tetor dhe fillimit të nëntorit”, është shprehur shkrimtarja në media. Duke ju referuar shënimeve të saj, e më pas përmes trillit, “Krimineli nga Kadizi” ka nisur të marrë formë, ndoshta sepse pas shumë vitesh, ajo kthehej në botën e librave me një krijim që mbante emrin e saj. “Ngjarja e largimit të tij është e afërt dhe kam përshtypjen se zgjodha të bëj këto tregime, se është terapia më e mirë për t’i bërë kozmetikë shpirtit. Meqë më pyesni për këta muaj në mungesë, më duket se nuk e kam gëlltitur mungesën e tij, e më duket se do të kthehet në shtëpi, sikur do të trokasë, e megjithatë në studion e tij nuk kam shkelur ende tamam. E hap derën dhe e mbyll”, tha Helena për median.

Por, ndryshe nga herët e shkuara në Panairin e Librit, kur lexuesit ndalonin e stendën Onufri për të marrë prej andej librat që mbanin nënshkrimin Kadare, këtë herë vizitorët kanë qenë akoma më kuriozë për të zbuluar diçka më shumë rreth bashkëshortes së shkrimtarit. Ky duket në fakt një rikthim i shkrimtares, pasi siç edhe ajo premtoi, tani ka vendosur t’i dedikojë më shumë kohë letërsisë. E pyetur nëse do të vazhdojë të shkruajë një libër tjetër, ajo tha, “Patjetër. Dhe lavdi Zotit që është kjo mundësi. Se sa do të arrij ta jap në përsosmëri ose jo është punë tjetër, por ama shyqyr është kjo mundësi, që të ulesh dhe të shkruash për njëqind arsye. Por kryesorja është ajo, si të thuash, kozmetika e shpirtit”.

 

Helena Kadare ka qenë e përfshirë edhe me përkthimin, duke zgjedhur kryesisht librat që i pëlqenin, të cilave më pas ajo i ka dedikuar shumë kohë, për t’i sjellë në gjuhën shqipe. Ajo ka sjellë në shqip dy libra të shkrimtarit nobelist Isaac Bashevis Singer, të cilët gjithashtu kanë qenë edhe të preferuarit e saj. “Kam vënë re dhe jam e kënaqur që novela mbahet prapë e gjallë sot. Kjo tregon për sfidën më të madhe të një prozatori dhe arritjen më të madhe të tij, nëse ai ia del mbanë të shkruajë shkurt dhe me imagjinatë”, ka komentuar ajo rreth dy librave të përkthyer të Singer.

Ky rikthim i shkrimtares vjen pas 13 vitesh nga botimi i “Kohë e pamjaftueshme”, një rrëfim i cili zbulon jetën krah Ismail Kadaresë, mbushur plot ngjarje në rrethin e miqësive, takime të fshehta dhe të përbashkëta, ku çifti gjen energji dhe kurajë të mposhtë ankthin që diktatura ushtroi në vendin më të mbyllur në Europë.

Helena Kadare është gruaja e parë romanciere në letërsinë shqiptare, por edhe përkthyese ekselente e kryeveprave botërore. Autore e librave, si: “Një lindje e vështirë”, “Një grua nga Tirana”, “Bashkëshortët” dhe “Kohë e pamjaftueshme”, Helena Kadare ka në qendër të romaneve të saj, jetën vajzërore, të nënës dhe bashkëshortes, një mision që e ka përmbushur më së miri përmes letërsisë, duke dhënë mesazhe të forta.

Jeta e saj udhëton mes letërsisë që ajo ka krijuar, një profil të pavarur dhe autentik, si shkrimtare, përkthyese, skenariste filmash, një person publik i cili me zërin e saj ka dhënë opinione të çmuara për letërsinë, artin dhe fenomene shoqërore.

“Krimineli nga Kadizi”

“Gjëja e parë që mësonte një i ardhur në Marbella Club Hotel, ishte historia e doña Juanita-s. Flitej se kishte dashuruar marrëzisht një rritës kuajsh të racës, nga Sevilla, burrë i pashëm, i paepur e sypatrembur nga asgjë. Kështu kishte treguar ajo vetë, në çaste mërzie, tek rrinte ulur në shkallët e vilës, në orët e muzgut, me shpirtin të humbur dhe zemrën të lëshuar prej asaj që priste të vinte. Në rrethana të pashpjegueshme, dashnori i saj, Ramon Rodrigues-i, ishte nisur pa drejtim dhe pa i dhënë asnjë shpjegim, përveçse dy fjalëve se do të kthehej sapo të mbaronte disa punë të rëndësishme që kishte. Punë që ajo nuk i mori vesh asnjëherë. E zhgënjyer dhe e fyer, doña Juanita përtypte tani me vete helmin e kësaj ndarjeje pa shpjegim. Dhe e vuante çdo ditë e më shumë, e vrerosur, sikurse bën zemra e plagosur e një gruaje të dashuruar që s’gjen ngushëllim”.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF