KreuCelebrity

Ekskluzive/ Njihuni me Luna Çaushollin!

Ekskluzive/ Njihuni me Luna Çaushollin!

Fotografia: Gent Onuzi

Me kitarë në dorë, një portret të ëmbël, flokët e gjatë mbi supe dhe veshur me një ‘jumpsuit’ me xixa, Luna Çausholli u shfaq në “Këngën Magjike” si fllad i ngrohtë që përkëdheli këdo që dëgjoi tingujt e këngës së saj “Lule Margarita”. Luna tregon për “Bordo” se ndihet e përkëdhelur nga komentet e publikut që për hir të së vërtetës kanë qenë vetëm pozitive, megjithatë nuk e mohon se tashmë përgjegjësia për të bërë art cilësor është rritur.

Luna, urime për pjesëmarrjen tënde në “Këngën Magjike”. Cilat janë pritshmëritë e tua?

Faleminderit për urimin dhe për intervistën. Nga kjo eksperiencë do të doja të përcillet sa më shumë në publik, emocioni që unë transmetoj nëpërmjet muzikës. Pres gjithashtu që stili im të evidentohet, sigurisht vlerësimet e profesionistëve janë shumë të rëndësishme për një artist të ri dhe gjithashtu dua që pas kësaj eksperience të kem një rritje cilësore në formimin tim. Doja të shtoja këtu që është fat i madh të punosh me Ardit Gjebrean dhe stafin e tij të madh dhe fantastik. Kujdesi dhe dashamirësia për artistët e rinj është e jashtëzakonshme.

Komentet e publikut kanë qenë tejet pozitive. Si je ndjerë?

Sigurisht që ndihem mirë, falënderuese, dhe me përgjegjësi të rritur për të bërë gjëra të mira dhe muzikë cilësore, siç ky publik e meriton.

Po familjarët, çfarë komentesh të kanë bërë?

Ata janë kritikët e parë pas çdo dalje timen në skenë dhe veç adrenalinës së gëzimit, më vendosin gjithmonë përpara një liste me vërejtje, ndërsa tri motrat e mia këndojnë e kërcejnë bashkë me mua “Lule Margaritën”!

Sa rëndësi i ke kushtuar veshjes në këtë garë? Me cilin je konsultuar për zgjedhjen e outfitit në prezantimin e parë të këngës për publikut?

Veshja është një komponet shumë i rëndësishëm për artistin në skenë. Duhet t’i përshtatet stilit, këngës, ‘background-it’ në ledwall’, të qenurit rehat dhe komod për të performuar saktë dhe bukur e sidomos në rastin tim kur herë pas here kam pjesë të performancës edhe kitarën. Te “Lule Margarita” komente me vlerësim maksimal kam marrë edhe për veshjen. Ishte një kombinim spektakolar që diva e fashion design Enada At’Nikolla dhe vajzat e saj duararta të ateliesë stiluan për këtë performancë. Gjej rastin t’i falënderoj nga zemra.

Ekskluzive/ Njihuni me Luna Çaushollin!

Nëse do të përzgjidheshe për në netët finale, ke menduar për veshjen?

Jam e qetë me Enada At’Nikollën, sërish për një surprizë të radhës!

Po në përditshmëri çfarë stili ka Luna?

Në përditshmëri vesh ‘street style’ dhe ‘baggy clothes’. Më pëlqen thjeshtësia në dukje, të qenurit rehat, e kam shumë të rëndësishme dhe preferoj materialet prej pambuku, kryesisht të buta dhe higjienike. Ndërsa në muzikë ju tashmë e kuptoni stilin tim, paksa të veçantë nga ajo që unë jam zakonisht.

Çfarë ka më shumë në gardërobën tënde?

Xhinse, triko me kapuç, t-shirts, komplete tutash, ndonjë kostum, këmisha por edhe ndonjë kollare tek-tuk. Fustanet pastaj i numëroj me gishtat e njërës dorë (qesh).

I ndjek trendet e reja?

I ndjek vetëm kur i përshtaten stilit tim. Në të kundërt, nuk më entuziazmojnë fare dhe nuk e kam aspak qëllim në vetvete të ndjek trende.

Ekskluzive/ Njihuni me Luna Çaushollin!

Cilin është personi me të cilin këshillohesh më shumë për stilin tënd të veshjes?

Me mamin dhe motrën e madhe. Kur janë të dyja në një mendje, nuk i kundërshtoj dot më.

Për çfarë shpenzon më shumë?

Për kitara, sepse më pëlqen shpesh të kem nga një kitarë të re. Me siguri pas ca kohësh do të kem një koleksion. Një dhomë e mbushur plot me kitara është ëndrra ime.

Je e fiksuar pas markave? Ke përdorur ndonjëherë marka ‘fake’?

Markat nuk bëjnë pjesë fare në dëshirat apo fiksimet e mia, pastaj sa për marka ‘fake’ as që bëhet fjalë.

Nëse je e pasur, a mendon se mund ta blesh stilin?

Ah, sa më pëlqeu kjo pyetje! Stili është diçka që përcaktohet nga karakteri i gjithsecilit prej nesh, nga mjedisi ku lind dhe rritesh, dhe nga kultura e edukata. Nëse do ta blije stilin me para, do shisje në mënyrën më të keqe veten.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF