
Daniel Siad, agjent mode 69-vjeçar nga Franca, është gjetur i vdekur në banesën e tij pranë Parisit, ndërsa ishte nën hetim për lidhjet e dyshuara me rrjetin e trafikimit seksual të Jeffrey Epstein.
Sipas autoriteteve franceze, Prokuroria e Nanterres ka hapur një procedurë hetimore për të përcaktuar rrethanat e vdekjes së tij. Një autopsi pritet të hedhë më shumë dritë mbi shkakun e ndarjes nga jeta.
Siad përballej me akuza të shumta, mes tyre edhe pretendime për përdhunim, ndërsa hetuesit ende nuk kishin arritur ta merrnin në pyetje. Ai kishte hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke deklaruar se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me drejtësinë dhe të paraqiste versionin e tij të ngjarjeve.
Emri i tij u bë publik pasi u përfshi në mbi 1 mijë faqe dokumentesh të deklasifikuara që lidhen me çështjen Epstein. Në një komunikim të vitit 2014 me financierin amerikan, Siad fliste për përpjekjet e tij për të zbuluar modele të reja, duke përdorur një krahasim me peshkimin.
Jeffrey Epstein, i akuzuar për trafikim seksual të të miturve, u gjet i vdekur në një burg në Nju Jork në vitin 2019, ndërsa priste nisjen e gjyqit ndaj tij. Edhe një tjetër figurë e botës së modës, Jean-Luc Brunel, i cili u akuzua për lidhje me rrjetin e Epstein, u gjet i pajetë në një burg francez në vitin 2022.
