KreuCelebrity

“Kam gjetur njeriun e jetës" Xhesika Polo flet për dashurinë, humbjet dhe transformimi që i ndryshoi jetën

Ka artistë që e matin suksesin me trofe apo vendet e para, por ka edhe nga ata që e matin me rrugëtimin e brendshëm. Xhesika Polo i përket kësaj kategorie. Pas më shumë se një dekade në skenën muzikore, ajo vjen më e pjekur, më e qartë dhe më e lumtur se kurrë me veten. Nga vajza 14-vjeçare që u prezantua para publikut në “X Factor”, tek artistja që zgjodhi të mbetet besnike ndaj vetes dhe parimeve të saj, rrugëtimi i Xhesikës ka qenë i mbushur me sfida, e së fundmi me një transformim në pamjen e saj, drejt një jete më të shëndetshme. Në këtë rrëfim të sinqertë për “Bordo”, ajo flet për muzikën, dashurinë, familjen, ndryshimin fizik dhe emocional, duke zbuluar pse sot ndihet më pranë se kurrë me atë që e quan “versioni im ultimat”. 

Xhesika, si lindi dashuria jote për muzikën?

Kam përshtypjen që muzika ka lindur bashkë me mua. Jam rritur në një familje ku muzika dhe arti kanë qenë formë shumë e bukur komunikimi midis nesh, një familje që muzikën përveç se ma kanë ushqyer dhe ma kanë suportuar. Prindërit e mi besuan te talenti im kur unë isha 12 vjeçe dhe fillova kursin e kitarës, pastaj ata më suportuan dhe që nga aty gjithçka rrodhi me “X Factor-in”. Më pas në të gjithë festivalet që kam marrë pjesë dhe krijimtarinë që kam bërë deri sot. Jam shumë e lumtur dhe krenare për gjithë rrugëtimin tim.

Kush e zbuloi talentin tënd?

Konkursi i parë ishte “Çelësi i Artë”, kam qenë 7 vjeçe dhe zbuloi Alban Karabashi. Mbaj mend kam kënduar një potpuri vlonjate dhe mora çmimin e publikut, pra publiku është i pari që zbuloi talentin tim.

Si vendose të aplikoje në “X Factor”?

Klodeta Buzi, CEO e Akademia Hollywood, më jepte kurset e kitarës, më dëgjoi duke kënduar, pak snobe se isha 14 vjeçe dhe vjen më merr nga shkolla dhe më tha: Do të shkojmë në “X Factor”...

E prisje suksesin që të solli më pas “X Factor”?

Isha aq modeste saqë jo vetëm nuk e prisja, por kur isha në fazën e parë thashë uroj të kaloj fazën e dytë dhe dola e treta midis 5 mijë konkurrentëve. Suksesi ishte një ndjesi që e mësova rrugës, aty e kuptova që jam më shumë se ç'mendoja. Kam qenë e surprizuar derisa kuptova që skena është vendi im, shtëpia ime.

Sa ka ndryshuar Xhesika e asaj kohe nga Xhesika e sotme?

Ka ndryshuar në 15 vite eksperiencë, 15 vite luftëra, triumfe, trishtime e gëzime. Jeta më ka trajtuar në mënyrë të çuditshme. Objektivisht mendoj që më ka trajtuar pak më keq se ç’meritoja. Jam njeri fantastik me gjithë modestinë. Kush e di, e di. Xhesika është rritur pafund, sidomos 2 vitet e fundit kam pësuar një katarsis. Ndihem në më të mirën time, në versionin tim ultimat. Asnjëherë nuk them ja dola se është proces i gjatë. Po besoj që Xhesika 14-vjeçare e "X Factor" do të ishte shumë krenare për mua.

Çfarë këshille të mësuan prindërit për rrugëtimin në muzikë?

Mami dhe babi ishin tifozët e mi më të mëdhenj dhe më kanë ndjekur në çdo hap. Kanë pasur një ndikim të mrekullueshëm tek unë, më kanë rritur me shumë respekt për veten dhe është meritë e tyre që jam Xhesika me parime dhe ideale që nuk i humba rrugës. Kjo është një nga arsyet që nuk jam lëkundur dhe nuk rashë pre e propagandës që bëhet në muzikën shqiptare.

Sot, çfarë e bën Xhesikën të lumtur?

Xhesikën e bën të lumtur pafundësisht vetja çdo mëngjes që hap sytë. Foleja ime e dashurisë, njeriu i mrekullueshëm që kam në krah dhe sigurisht çdo sukses që kam pasur me meritë.

Shohim një transformim të madh fizik te ty, cili ka qenë shkaku?

Pjesa e ushqimit ka qenë gjithmonë delikate me mua, se ushqimi është resurse dopamine, të lumturon, të gëzon, është një nga diksionet më të rënda që po përjeton shoqëria sot. Për mua nuk ka qenë shqetësim ana vizuale, pasi edhe kur isha 96 kilogramë, isha njeriu më i lumtur, pasi jam identifikuar gjithnjë me talentin tim, me atë për të cilin doja të njihesha. Por ishte e nevojshme të kisha një jetë më të shëndetshme, për t'i dhënë më shumë dashuri vetes, të thyeja disa zinxhirë. Tani ndodhem në vendin tim: rrethohem nga njerëz fantastikë që më motivojnë. Partneri im luan rol thelbësor që të kujdesem për veten sepse edhe ai kujdeset shumë për veten. Mendoj që rrethanat perfekte sjellin këtë ndryshim në jetë.

A ka qenë e vështirë të ruash disiplinën?

Si një vajzë që e ka dashur ushqimin, më pëlqen të provoj. Nuk jam njeri sasie, e trajtoj ushqimin si një gjë e domosdoshme që na duhet për të jetuar, por nga ana tjetër nuk i jap shumë rëndësi. Nëse duhet të ha çdo ditë oriz basmat dhe fileto pule, nuk më mërzit pjesa që dua të eksperimentoj. Kur ul automatin, nuk më bën përshtypje asgjë.

Çfarë nuk njeh publiku për Xhesika Polon përtej skenës?

Publiku nuk di asgjë për mua. Përtej skenës kam shumë energji, çdo gjë e imja është e sinqertë në çdo gjë që përcjell, ndjesi apo mendim. Jam një vajzë me shumë vlera. Duket sikur e komplimentoj veten, por realisht jam njeri që nëse më ke në jetë, do të dua gjithmonë pa kushte. Kjo është një nga cilësitë më të mira që kam, nuk kam ditur kurrë t'i dua njerëzit me kushte, me interes, prandaj nuk ka qenë kaq e lehtë për mua.

Kë do të veçoje si ngjarjen më të bukur të jetës tënde?

Ngjarja më e bukur e jetës time është njohja me partnerin tim.

Si jeni njohur?

U njohëm në rrjetet sociale dhe është hera e parë që e them. Ai ishte mashkulli i parë që i ktheva përgjigje sportivisht në Instagram. Për herën e parë që e kam përqafuar, kam shkuar te babi dhe i thashë: kam gjetur njeriun e jetës. Ishte sikur shpirtrat tanë kishin shekuj që prisnin të takoheshin.

Çfarë të pëlqen më shumë tek ai ose te marrëdhënia që keni?

Më pëlqen çdo gjë tek ai. E dashuroj në çdo qelizë. Është përtej ndjesive humane, ekstra-terrestriale. Nuk e them dot fjalë më pëlqen, di të them që është ‘one of a kind’ (një dhe i vetmi). Është i mrekullueshëm, shumëngjyrshëm. Nuk di të them një gjë që s'më pëlqen tek ai.

Keni biseduar bashkë për të ardhmen, për familje, bashkëjetesë?

Ne e vizualizojmë dhe manifestojmë të ardhmen tonë çdo ditë. Jemi dy njerëz që kemi të njëjtën frekuencë, të njëjtën energji. Besojmë te ligji i tërheqjes dhe sigurisht ëndërrojmë të ardhmen tonë që pa diskutim do të jetë e mrekullueshme. Duam të ndërtojmë atë folenë tonë të bukur me maçokët tanë, me qenusha, me beba. Jemi të dy shumë familjarë, e kemi nxjerrë këtë anë te njëri-tjetri dhe mezi e pres të ardhmen. Jam shumë e lumtur që gjithçka është reciproke dhe e ndaj këtë ndjesi kaq të bukur me të.

Cili ka qenë momenti yt më i vështirë?

Kam kaluar çaste të vështira në jetë, por pa diskutim humbja e prindërve: e mamasë para 6 vitesh dhe babait shkurtin që kaloi, ishin më të vështirët. Për këdo humbja e prindit është ndjesia më vulnerabël, një dhimbje që nuk ke çfarë i bën, me të cilën bën kompromis ta pranosh: E fut në një kuti, e jeton gjithë jetën me të.

A i bëre të lumtur prindërit sa kohë ishit bashkë? Ishin ata të kënaqur me sukseset e tua?

Mendoj modestisht: jam fëmija perfekt që do të donte të kishte çdo prind. I kam bërë të lumtur dhe krenarë prindërit e mi dhe kjo është e padiskutueshme. Babait i kam plotësuar ëndrrën, sepse ka qenë këngëtar dhe donte në një farë mënyre të ndiqte ëndrrën e tij përmes meje. Mamaja ka qenë piktore dhe i kam marrë syrin estetik, pikturoj për të dhe veten time.

Çfarë planesh ke për verën, për muzikën?

Nuk pushoj në verë, dua të punoj sa më shumë. E shijoj kontaktin me publikun, koncertet në sheshe nëpër Shqipëri janë kaq të bukura. Njerëzit janë plot me energji dhe mezi presin të kenë art e muzikë, sepse lidhet me gëzimin dhe lumturinë. Dua ta ndaj zërin tim me sa më shumë njerëz, t’i bëj të kërcejnë bashkë me mua.

Nëse do t'i bëje një dedikim gjysmës tënde më të mirë me një këngën tënde, cila do të ishte ajo?

Nuk e kam bërë akoma këngën për të, por kënga që i përshtatet është “Frymë”, me të cilën fitova çmimin e parë në një festival në Maqedoni. Partneri im i mrekullueshëm shkruan, kemi bërë një këngë dhe në të ardhmen do të kemi një bashkëpunim. Shkruajmë të dy, çdo gjë e kemi në sintoni edhe në muzikë.