KreuCelebrity

Labinot Tahiri merr një vendim prekës për djalin e Shpat Kasapit: “Nga çdo mbrëmje do të ndaj 150 euro për të”

Labinot Tahiri merr një vendim prekës për djalin e Shpat Kasapit:
Labinot Tahiri ka bërë një gjest që është vlerësuar gjerësisht nga publiku, duke njoftuar se do të mbështesë financiarisht Roelin, djalin e artistit të ndjerë Shpat Kasapi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, këngëtari bëri të ditur se, duke nisur nga ky sezon, nga çdo dasmë dhe mbrëmje muzikore ku do të performojë, do të ndajë 150 euro për të voglin, si një kontribut të vazhdueshëm për mirëqenien dhe të ardhmen e tij.

“Për aq kohë sa Zoti ma jep mundësinë të punoj, nga çdo mbrëmje muzikore dhe dasmë do të ndaj 150 euro për Roelin, për shëndetin dhe jetën e tij”, shkroi Labi, duke sqaruar se shuma do t’i dorëzohet nënës së djalit, Selvies.

Ai theksoi se lidhja me Shpat Kasapin nuk ishte vetëm profesionale, por edhe miqësore, ndërsa zbuloi se e kishte ndihmuar familjen edhe më herët, larg syrit të publikut. Sipas tij, tashmë kjo mbështetje do të kthehet në një angazhim të përhershëm.

Në mesazhin e tij, Labinot Tahiri iu drejtua edhe familjarëve të artistit, duke i siguruar se nuk do të mbeten vetëm. Ai u shpreh se këtë premtim ua kishte dhënë më herët edhe njerëzve më të afërt të Shpatit dhe se do ta mbajë me përkushtim.

Në fund të reagimit, këngëtari u bëri thirrje edhe kolegëve të estradës që të kontribuojnë me vepra konkrete për familjen e Shpat Kasapit, duke theksuar se ndihma për Roelin është mënyra më e bukur për të nderuar kujtimin e artistit. Ai falënderoi gjithashtu mërgimtarët dhe të gjithë ata që i janë drejtuar për të ofruar mbështetje për djalin e vogël.