
Koncerti i Bad Bunny në Milano u ndërpre papritur pasi një stuhi e fortë me breshër goditi zonën ku po zhvillohej eventi, duke krijuar panik mes mijëra të pranishmëve.
Rreth 80 mijë fansa ishin mbledhur për të ndjekur performancën e artistit në kuadër të turneut të tij “Debí Tirar Más Fotos”, por moti i keq detyroi organizatorët të pezullonin koncertin dhe t’u kërkonin spektatorëve të largoheshin nga arena për arsye sigurie.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet kur pjesëmarrësit fillimisht përpiqen të mbrohen nga breshëri me çadra, peshqirë dhe veshje, ndërsa më pas largohen me shpejtësi nga vendi i koncertit.
Sipas mediave të huaja, disa persona kanë pësuar lëndime të lehta dhe kanë marrë ndihmën e parë nga ekipet mjekësore të pranishme në vendngjarje. Deri tani nuk raportohen të lënduar rëndë.
Ende nuk dihet nëse koncerti do të riplanifikohet, ndërsa Bad Bunny pritet të vijojë turneun e tij me koncertin e radhës në Bruksel më 22 korrik.
