KreuCelebrity

Nuk do e njihni! Aktori turk Akın Akınözü bën transformimin radikal për rolin e ri

Akın Akınözü po përgatitet për një rikthim të fuqishëm në ekran. Aktori i njohur turk, i cili fitoi popullaritet të madh ndërkombëtar me rolin e Miran Aslanbeyt në serialin “Hercai”, do të jetë protagonist i produksionit të ri historik “Aşk ve Taht” (“Dashuri dhe Fron”).

Në projektin e ri të Bozdağ Film, Akınözü do të interpretojë Sulltan Alaeddin Keykubatin, një prej sundimtarëve më të rëndësishëm të Shtetit Selxhuk të Anadollit. Për t’iu përshtatur sa më shumë figurës historike dhe atmosferës së periudhës, aktori ka ndërmarrë një transformim të dukshëm në pamje.

Akın Akınözü është shfaqur me flokë të gjatë, të realizuar edhe përmes ekstensioneve, si dhe me mjekër të dendur. Pamja e re, shumë larg stilit modern me të cilin publiku ishte mësuar ta shihte, ka bërë që disa ndjekës të pranojnë se fillimisht e kishin të vështirë ta njihnin.

Fotografitë e publikuara në rrjetet sociale kanë shkaktuar menjëherë reagime të shumta. Fansat kanë vlerësuar transformimin e tij, duke komentuar se roli i sulltanit i përshtatet shumë aktorit dhe se pamja e re ia ka shtuar edhe më tepër karizmën.

“Aşk ve Taht” prodhohet nga Mehmet Bozdağ, ndërsa regjia u është besuar Yağmur Taylan, Durul Taylan dhe Cem Toluay. Seriali pritet të transmetohet në ekranin e ATV-së dhe konsiderohet si një nga produksionet historike më ambicioze të sezonit.

Akınözü raportohet se ka nisur prej kohësh përgatitjet për personazhin, me synimin që të sjellë në ekran jo vetëm autoritetin e një sundimtari, por edhe frymën e periudhës së lavdishme të Sulltan Alaeddin Keykubatit.

Kalimi nga rolet romantike të historive moderne te figura e një sulltani të fuqishëm ka rritur ndjeshëm interesin për rikthimin e aktorit. Me transformimin e tij të fundit, pritshmëritë e fansave për “Aşk ve Taht” janë tashmë më të larta se kurrë.