KreuCelebrity

Messi thyen heshtjen për foton me Yamal: Është çmenduri ajo që po ndodh!

Messi thyen heshtjen për foton me Yamal: Është çmenduri

Vetëm disa orë para finales së madhe të Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Spanjës, Lionel Messi ka folur për herë të parë për fotografinë ikonike ku shfaqet duke larë Lamine Yamal kur ky i fundit ishte vetëm gjashtë muajsh.

Fotoja e realizuar në vitin 2007 gjatë një seti fotografik bamirësie të organizuar në bashkëpunim me UNICEF-in, është rikthyer fuqishëm në vëmendjen e publikut, pikërisht në momentin kur dy protagonistët e tij do të përballen për trofeun më të rëndësishëm në futboll.

Në atë kohë, Messi ishte vetëm 20 vjeç dhe sapo kishte nisur të shndërrohej në një prej yjeve më të mëdhenj të Barcelonës, ndërsa askush nuk mund ta imagjinonte se foshnja në krahët e tij do të bëhej një ditë pasardhësi i tij te klubi katalanas dhe një nga futbollistët më të rëndësishëm në botë.

Vetë kapiteni i Argjentinës e ka cilësuar historinë pas fotografisë si diçka të pabesueshme.

“Lamine është një lojtar i madh, të cilin e ndjek shumë, sepse luan në një klub që e dua dhe për të cilin gjithmonë dëshiroj më të mirën. Në moshën 19-vjeçare është një nga lojtarët më të rëndësishëm në botë”, u shpreh Messi.

Më pas, ai komentoi edhe fotografinë që prej vitesh ka bërë xhiron e rrjetit.

“E vërteta është se ajo foto është një çmenduri. Kjo është jeta. E bëra atë fotografi kur ai ishte foshnjë dhe sot po përballemi të dy në një Kupë Bote. Sinqerisht, edhe ajo që po them tingëllon e pabesueshme”, deklaroi ylli argjentinas.

Finalja e së dielës pritet të jetë një nga më të veçantat e viteve të fundit. Argjentina synon të fitojë trofeun e katërt në historinë e saj, ndërsa Spanja kërkon yllin e dytë.

Përballja Messi–Yamal është kthyer tashmë në historinë kryesore të finales. Nga një fotografi e rastësishme bamirësie në vitin 2007, te një duel për trofeun e Kupës së Botës, rrugët e dy futbollistëve janë bashkuar në mënyrën më të pabesueshme.