KreuCelebrity

Odiseja i ri i kthen sytë te Bekim Fehmiu, audienca italiane me superlativa për aktorin shqiptar

Odiseja i ri i kthen sytë te Bekim Fehmiu, audienca italiane me superlativa
Premiera e shumëpritur e “The Odyssey” nga Christopher Nolan, me Matt Damon në rolin e Uliksit, ka rikthyer në qendër të vëmendjes një nga historitë më të famshme të letërsisë botërore. Por bashkë me interesin për versionin e ri, mediat dhe publiku italian kanë risjellë në kujtesë një tjetër interpretim që konsiderohet ende ikonë: atë të aktorit shqiptar Bekim Fehmiu në serialin “L’Odissea” të vitit 1968.

Në ditët e fundit, Rai dhe media të tjera italiane kanë publikuar pamje nga produksioni historik, duke e cilësuar atë si një nga adaptimet më të suksesshme të poemës së Homerit. Në një prej postimeve, Rai shkruan: “L’Odissea” ishte prodhimi i parë me ngjyra i Rai-t dhe një nga skenarët televizivë më të suksesshëm, me regji të Franco Rossi, Piero Schivazappa dhe Mario Bava.

Në qendër të këtij rikthimi është edhe figura e Bekim Fehmiut, i cili interpretoi me mjeshtëri Uliksin (Odiseun), rol që mbetet një nga kulmet e karrierës së tij ndërkombëtare.

Aktori shqiptar nga Kosova ishte tashmë një emër i njohur në fundin e viteve ’60, pas suksesit të filmit “Mbledhësit e Puplave” (Skupljači perja), që i hapi dyert e kinemasë evropiane. Ai u bë një nga aktorët e parë nga ish-Jugosllavia që ndërtoi një karrierë të rëndësishme ndërkombëtare, duke interpretuar në prodhime italiane, franceze, gjermane dhe amerikane.

Në vitin 1968, regjisori italian Franco Rossi i besoi Fehmiut rolin e protagonistit në “L’Odissea”, një serial televiziv ambicioz që u transmetua në disa vende të Evropës dhe u kthye në një nga produksionet më të rëndësishme të kohës. Interpretimi i aktorit shqiptar u vlerësua për mënyrën se si solli në ekran zgjuarsinë, guximin dhe anën njerëzore të Uliksit, duke krijuar një personazh kompleks dhe të paharrueshëm.

Ndryshe nga versioni modern i Christopher Nolan, i mbështetur në teknologjinë bashkëkohore dhe efektet vizuale, adaptimi i vitit 1968 mbështetej te forca e interpretimit, skenografia reale dhe besnikëria ndaj veprës së Homerit. Pikërisht kjo është një nga arsyet pse seriali vazhdon të konsiderohet një klasik i televizionit italian.

Rikthimi i interesit për “Odiseun” ka bërë që shumë italianë të rishohin interpretimin e Bekim Fehmiut, duke e vlerësuar sërish si një nga portretizimet më të arrira të heroit legjendar. Për shumë kritikë dhe artdashës, ai mbetet një nga Uliksët më bindës të ekranit, ndërsa prania e tij në atë produksion konsiderohet ende një moment historik për kinemanë dhe televizionin evropian.

Më shumë se pesë dekada më vonë, emri i Bekim Fehmiut vazhdon të lidhet me një nga figurat më ikonike të mitologjisë greke, duke dëshmuar se talenti i aktorit shqiptar ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e kinemasë ndërkombëtare.

Bekim Fehmiu vizitoi Shqipërinë në pranverën e vitit 1972, në një periudhë kur gëzonte famë të madhe ndërkombëtare pas suksesit në kinematografi. Gjatë qëndrimit të tij, ai vizitoi disa nga qytetet dhe monumentet më të rëndësishme të vendit, mes tyre Tiranën, Durrësin, Krujën, Shkodrën, Gjirokastrën, Sarandën dhe Butrintin.

Odiseja i ri i kthen sytë te Bekim Fehmiu, audienca italiane me superlativa
Në atë vizitë, aktori u takua me personalitete të njohura të kulturës shqiptare, si Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, mori pjesë në aktivitete artistike dhe vizitoi institucione kulturore e historike. Prania e tij në Shqipëri pati jehonë të madhe, pasi ndodhi në një kohë kur marrëdhëniet dhe kontaktet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë ishin të kufizuara.

Odiseja i ri i kthen sytë te Bekim Fehmiu, audienca italiane me superlativa
Bekim Fehmiu kishte shprehur edhe dëshirën për të interpretuar një ditë në një film shqiptar, por ky projekt nuk u realizua kurrë.

Një nga rolet më të rëndësishme të karrierës së tij mbetet ai i Uliksit në filmin “The Odyssey” (Odisea), i realizuar në vitin 1968. Pikërisht për këtë arsye, njëri prej djemve të tij mban emrin Uliks. Djali tjetër quhet Hedon, një emër me prejardhje nga greqishtja e lashtë.

Odiseja i ri i kthen sytë te Bekim Fehmiu, audienca italiane me superlativa
Në një intervistë të dhënë vite më parë për gazetën serbe Alo, Hedon Fehmiu zbuloi amanetin e të atit:

“Dëshira e babait ishte që fshati Lumbardh i Prizrenit të ishte vendi ku do të prehej përgjithmonë. Ai i thoshte gjithmonë nënës që, kur të vinte ai moment, hiri i tij të shpërndahej në Lumbardhin e Prizrenit, sepse e donte jashtëzakonisht shumë atë vend dhe e konsideronte shtëpinë e tij të dytë.”

Odiseja i ri i kthen sytë te Bekim Fehmiu, audienca italiane me superlativa

Odiseja i ri i kthen sytë te Bekim Fehmiu, audienca italiane me superlativa