
Futbolli botëror është në zi pas ndarjes nga jeta të Kevin Keegan, një prej emrave më të mëdhenj në historinë e futbollit anglez. Ish-futbollisti dhe trajneri u shua në moshën 75-vjeçare, vetëm shtatë javë pasi kishte bërë publike betejën e tij me një formë të avancuar kanceri.
Lajmi u konfirmua nga familjarët, të cilët bënë me dije se Keegan mbylli sytë i rrethuar nga njerëzit e tij më të afërt – bashkëshortja dhe dy vajzat.
Gjatë karrierës së tij si futbollist, Keegan veshi fanellat e Scunthorpe United, Liverpool, Hamburg, Southampton dhe Newcastle United, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në secilin prej këtyre klubeve. Ai u kurorëzua dy herë me “Topin e Artë”, një arritje që e vendosi mes futbollistëve më të mëdhenj të brezit të tij.
Pas përfundimit të karrierës në fushë, ai vijoi kontributin në futboll si trajner, duke drejtuar Newcastle United, Fulham, kombëtaren e Anglisë dhe Manchester City.
Në deklaratën e familjes, Keegan përshkruhet si një bashkëshort, baba dhe gjysh i përkushtuar, ndërsa falënderime të veçanta iu drejtuan stafit mjekësor që e shoqëroi gjatë muajve të fundit të jetës. Familjarët kërkuan gjithashtu respektimin e privatësisë në këtë periudhë të dhimbshme.
Pas lajmit të hidhur reagoi edhe Newcastle United, klubi me të cilin Keegan krijoi një lidhje të veçantë si lojtar dhe trajner. Në mesazhin e publikuar, klubi e cilësoi atë si një nga figurat më të rëndësishme dhe më të dashura në historinë e tij, duke theksuar se trashëgimia e Kevin Keegan do të jetojë përmes kujtimeve dhe frymëzimit që u la brezave të tifozëve në mbarë botën.
