KreuCelebrity

Terror në vilën e Wanda Narës, grabitësit hyjnë teksa pesë fëmijët ishin brenda

Terror në vilën e Wanda Narës, grabitësit hyjnë teksa

Momente frike për Wanda Narën dhe familjen e saj. Tre persona të maskuar kanë hyrë me forcë në vilën e saj në Galliate, mes Novarës dhe Milanos, ndërsa brenda banesës ndodheshin pesë fëmijët e saj dhe nëna, Nora Colosimo.

Sipas raportimeve të para, grabitja ka qenë e shpejtë dhe e mirëorganizuar. Pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat tashmë u janë dorëzuar karabinierëve, tregojnë se autorët dyshohet se kishin vëzhguar lëvizjet e familjes përpara se të hynin në pronë.

Në momentin e grabitjes, fëmijët dhe gjyshja e tyre ishin të përqendruar duke ndjekur një ndeshje në televizor. Grabitësit kanë përfituar nga shpërqendrimi i tyre dhe janë drejtuar menjëherë drejt zonave ku mbaheshin sendet me vlerë.

Autorët kanë marrë aksesorë luksozë, veshje firmato, ora të shtrenjta, si dhe pasaportat e dokumentet e udhëtimit të të gjithë familjes. Vlera e plotë e sendeve të grabitura ende nuk është bërë e ditur.

Hetuesit dyshojnë se grabitësit mund të kenë pasur informacione të hollësishme për organizimin e vilës dhe vendet ku ruheshin objektet me vlerë. Edhe Wanda Nara ka ngritur dyshime se personat që hynë në banesë e njihnin mirë pronën.

“Ata e dinin se ku duhet të kërkonin”, është shprehur ajo pas ngjarjes.

Në kohën kur ndodhi grabitja, Wanda Nara ndodhej në Nju Jork së bashku me ish-bashkëshortin Maxi Lopez, për angazhime pune të lidhura me finalen e Botërorit 2026.

Nëna e saj, e cila po kujdesej për pesë fëmijët, Valentino, Costantino, Benedicto, Francesca dhe Isabella, ka dhënë alarmin dhe ka kontaktuar menjëherë forcat e rendit.

Pasi është informuar për ngjarjen, Wanda ka anuluar të gjitha angazhimet dhe ka marrë fluturimin e parë drejt Italisë. Fatmirësisht, as fëmijët dhe as nëna e saj nuk kanë pësuar dëmtime fizike, por raportohet se janë tronditur dhe frikësuar rëndë.

Pas ngjarjes, sipërmarrësja argjentinase ka vendosur të përforcojë edhe më shumë sistemet e sigurisë së pronës.

Maxi Lopez ka reaguar në rrjetet sociale, duke siguruar ndjekësit se fëmijët janë mirë dhe duke falënderuar karabinierët për ndërhyrjen dhe ndihmën e ofruar. Ndërkohë, Mauro Icardi, babai i dy vajzave më të vogla, nuk ka bërë ende asnjë reagim publik.

Vila ndodhet në zonën e parkut të Ticinos, në Galliate, rreth 45 minuta larg Milanos. Prona ishte blerë nga Wanda Nara dhe Mauro Icardi në vitin 2020, për shkak të afërsisë me aeroportin e Malpensës dhe qetësisë që ofron zona larg zhurmës së qytetit.