Moderatori Ledion Liço në një bisedë me Manushin si rrallëherë ka bërë një rrëfim për të gjitha etapat kryesore të jetës së tij. Lindur në Leskovik e jetuar më pas në Ersekë për 10 vite, Ledioni i kujton vitet e fëmijërisë si shumë të bukura dhe shprehet se ende sot mban lidhje me atë vend, ku jo më larg se dy muaj ka takuar profesorin e parë të letërsisë, i cili ka bërë të mundur që moderatori të dashurohet me fjalën.
Një moment shumë i bukur gjatë bisedës ishte kur Ledioni foli për djalin e tij London, për të cilin tha se është i apasionuar pas futbollit: “Në 2016-n lind London- lindi ky futbollisti i ardhshëm i Kombëtares së Shqipërisë, urojmë. Është mëngjarash dhe ky do t’i duhej shumë edhe anglezëve sot- vendi që ka më shumë mëngjarash në botë ka ngelur në skuadrën e tij me dy-tre të tillë”, tha ai, teksa më tej shtoi,
“Është i apasionuar pas futbollit. Unë shumicën e gjërave që di nga futbolli sot m’i ka mësuar London. Dua shumë të vijë ajo kohë që ne që mbase vetë nuk e duam futbollin, por kemi fëmijë që e duan dhe duan të luajnë futboll, të shkojmë në stadium dhe të mos gjejmë aty 'derra' që pinë duhan dhe birra e që shajnë me ‘libër shtëpie’. Por të gjejmë një ambient të civilizuar, ku brezat e rinj mund të bien në dashuri me futbollin; jo vetëm duke e parë nga ekrani”, tha ai.
Njohjen me Sarën moderatori e cilësoi si një nga gjërat më të rëndësishme të jetës së tij, “Njohja me Sarën, 11 vite më parë, ka qenë një nga gjërat më të rëndësishme dhe një nga më të vërtetat e jetës sime. Jam shumë me fat që kam krijuar një familje me të dhe që bashkëpunojmë edhe në punë, e kam shefe dhe nuk ta përton fare… pra është një marrëdhënie e bukur. Në shtëpi mundohem të jem unë shefi, natyrisht në fundjavë…”, tha ai me humor.
Ledioni foli edhe për karrierën e tij, e cila si fillim ka nisur në muzikë, e më pas kanë qenë njerëzit që ai ka takuar në Top që e kanë shtyrë drejt televizionit. “Në fillim nuk kam dashur të merrem me televizion; erdhi rastësisht i shtyrë nga njerëzit që ishin asokohe në Top Channel, Bojken Lako njëri prej tyre. Unë doja të këndoja, më gënjente mendja se dija të këndoja dhe pasi lajthitja shkoi deri aty sa unë shkova dhe bëra dhe videoklipe, shyqyr që njerëzit pranë më thanë t’i thërrisja mendjes… 2004 ka qenë viti që fillova të punoja në Top Channel. Fillimet e mia në televizion kanë qenë shumë të bukura. Kujtime që i mbaj shumë afër zemrës”, tha ai.
Ndërkohë ishte viti 2019 kur Ledioni u shkëput nga ekrani dhe lidhur me këtë gjë tha se ka qenë zgjedhja më e mirë që ka bërë, pasi e ka rritur shumë profesionalisht.
“Ishte koha kur u shkëputa me ndërgjegje nga televizioni përpara kamerës dhe vendosa të fokusohesha në menaxhim, vendosa të merresha me punën jashtë kamerës; me kalimin e viteve kam kuptuar që e dashuroj shumë më tepër. Ka qenë zgjidhja dhe zgjedhja më e mirë që më ka rritur nga ana profesionale”, tha Liço, teksa theksoi se radio është dashuria e tij e madhe.
Lidhur me “Big Brother”, Ledioni konfirmoi që do të jetë sërish në drejtimin e tij pasi ka qenë një nga përvojat më argëtuese të jetës së tij, “Për mua nuk ka qenë në asnjë moment punë e lodhshme, ishte një punë që të konsumonte kohën, ti nuk kishe kohë për gjëra të tjera pavarësisht se sa energjik ishe. Për mua ka qenë një nga përvojat më argëtuese të jetës sime dhe mezi pres ta bëj prapë. Kjo është pak por e sigurt. Për fillimin e edicionit tjetër, do të presim dhe pak. Por nuk është aq vonë sa mendoni, sikurse nuk është aq herët sa mendoni. Pritja e duhur, të nxiheni pak”.



















