KreuCelebrity

Letra e rrallë e Princeshë Dianës del në ankand, pritet të shitet për mijëra dollarë

Letra e rrallë e Princeshë Dianës del në ankand, pritet
Një letër personale e shkruar nga Princeshë Diana pothuajse 30 vite më parë do të dalë në ankand këtë muaj, duke ngjallur interes të madh mes koleksionistëve dhe adhuruesve të familjes mbretërore britanike.

Bëhet fjalë për një letër me dy faqe, të hartuar në nëntor të vitit 1995, të cilën Diana ia kishte dërguar një mbështetësi të saj, Michael Barratt. Ai i kishte shkruar princeshës pas intervistës së famshme që ajo dha për emisionin “Panorama” në BBC, një nga rrëfimet më të komentuara në historinë e monarkisë britanike.

Në mesazhin e saj, Diana e falënderon për fjalët inkurajuese dhe shprehet se shpresonte që rrëfimi i saj publik të shërbente si frymëzim për gratë që po kalonin situata të vështira në jetën personale. Ajo ndan gjithashtu bindjen se komunikimi i hapur dhe i sinqertë është thelbësor, një vlerë që dëshironte t’ua përcillte edhe djemve të saj, Princit William dhe Princit Harry.

Letra, e datës 27 nëntor 1995 dhe e shkruar në letrën zyrtare të Kensington Palace, pritet të arrijë një vlerë prej 4 mijë deri në 5 mijë dollarë gjatë ankandit që do të zhvillohet më 9 qershor.

Intervista e Dianës në “Panorama” mbetet një moment historik, ku ajo foli pa dorashka për jetën e saj martesore me Mbretin Charles III, duke shqiptuar edhe frazën që bëri jehonë në mbarë botën: “Në këtë martesë ishim tre persona.”

Përveç kësaj letre, ankandi do të përfshijë edhe objekte të tjera të rralla që lidhen me Princeshë Dianën dhe familjen mbretërore britanike, mes tyre dokumente nga procesi i krijimit të figurës së saj prej dylli në muzeun Madame Tussauds.