KreuCelebrity

Ndahet nga jeta në moshën 35-vjeçare aktorja Daveigh Chase

Ndahet nga jeta në moshën 35-vjeçare aktorja Daveigh Chase
Aktorja amerikane Daveigh Chase, e cila u bë e njohur për interpretimin e Samara Morgan në filmin horror “The Ring” dhe për zërin e personazhit Lilo në animacionin e famshëm të Disney-t “Lilo & Stitch”, ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare.

Lajmin e trishtë e bëri të ditur partneri i saj, Roy Hernandez, i cili tha se aktorja humbi jetën të martën pas komplikacioneve të shkaktuara nga meningjiti dhe një infeksion i rëndë në gjak. Gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua për shkak të sepsës, duke çuar në dështim të disa organeve. Raportimi i parë për vdekjen e saj u publikua nga TMZ.

Sipas mediave amerikane, më herët gjatë këtij muaji, Chase ishte shtruar në një spital në Los Angeles, ku po trajtohej edhe për probleme të lidhura me kequshqyerjen.

Karriera e saj mori hov në vitin 2002, kur i dha zërin Lilo-s në filmin e suksesshëm “Lilo & Stitch”, një rol që e vazhdoi edhe në serialin televiziv të bazuar në të njëjtën histori. Po atë vit, ajo fitoi vëmendjen e publikut me interpretimin e Samara Morgan në “The Ring”, rol që i solli çmimin MTV Movie Award në kategorinë “Villania më e mirë”.

Përgjatë karrierës së saj, Daveigh Chase u angazhua në projekte të shumta të njohura, mes tyre “Spirited Away”, ku interpretoi versionin anglisht të personazhit Chihiro Ogino, si dhe në filma e seriale si “Donnie Darko”, “Big Love”, “ER”, “Sabrina the Teenage Witch”, “Beethoven’s 5th” dhe “Mercy”.

Pak kohë para vdekjes së saj, partneri Roy Hernandez kishte nisur një fushatë në platformën GoFundMe për të mbuluar shpenzimet e trajtimit mjekësor. Në përshkrimin e fushatës, ai tregonte se aktorja kishte përjetuar një fëmijëri të vështirë, kishte ndërprerë lidhjet me familjen dhe kishte kaluar periudha të vështira, përfshirë përballjen me bullizmin dhe sfida të tjera personale.