Pas dy muajsh me audicione dhe Vilat e Jurisë, programi aq i dashur “X Factor Albania” rikthehet në ekranin shqiptar me netët live, ku emocionet e garës çdo mbrëmje do të jenë edhe më të forta. Pasi kaluan fazën përzgjedhëse, konkurrentët janë gati për të dhënë më të mirën e tyre.
3 prej anëtarëve të jurisë janë të njëjtit me edicionin e kaluar, Young Zerka, Arilena Ara, fituese e edicionit të 5-të me Alis, Adi Krasta, ndërkohë Soni Malaj kthehet pas 10 vitesh në këtë format shumë të dashur për të.
Në këtë sezon të ri, programi do të ofrojë një kombinim të mrekullueshëm të muzikës live, skenografisë mbresëlënëse, performancave të kuruara me kujdes që do të tërheqin vëmendjen e çdo teleshikuesi.
Dyshja e suksesshme Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu edhe këtë vit premtojnë surpriza dhe momente të paharrueshme për çdo shikues, ku muzika, talenti dhe emocioni do të jenë në qendër të çdo nate, ndërkohë që edhe këtë vit skenari i programit dhe arti i fjalës i është besuar Ilda Lumanit.
Kujtojmë që edicioni i kaluar i “X Factor Albania” ka dëshmuar fuqinë e këtij formati, me 7 konkurrentët e tij që janë bërë pjesë e festivaleve të rëndësishëm në Shqipëri dhe Kosovë, si Kënga Magjike dhe Festivali në RTSH, duke theksuar ndikimin dhe famën që sjell ky emision.
Fituesi i "X Factor Albania", Alis, së bashku me konkurrentët e tjerë të suksesshëm, si Luna, Kejsi, Kleansa, Jet performuan në skenën e madhe të Festvalit të Këngës me synimin për të prekur skenën e Eurovizionin.



















