
Teksa finalja e madhe e “Ferma VIP” po afron, disa nga ish-konkurrentët më të spikatur të këtij sezoni kanë rrëfyer eksperiencën e tyre pas daljes nga formati në emisionin “Mes’Dritë”.
Gjysmëfinalisti Romir Zalla u shpreh se rikthimi në jetën e zakonshme nuk ka qenë i lehtë, ndërsa tha se shpesh është ndier i keqinterpretuar nga publiku.
“Më vjen keq që shpesh jemi gjykuar pa u kuptuar. Edhe koncepti i të qenit aktiv në lojë është parë ndryshe nga mënyra se si e kam menduar unë”, tha aktori.
Nga ana tjetër, Indri foli për marrëdhëniet me ish-fermerët, duke zbuluar se jo të gjithë kanë ruajtur kontaktet me të pas përfundimit të spektaklit. Ai u ndal veçanërisht te raporti me Vanesën, duke treguar se takimi i tyre i fundit ka qenë disi i ftohtë.
“U takuam mbrëmjen e kaluar dhe instinktivisht desha ta përqafoja, por ajo mbajti distancë dhe e respektoj këtë. Me Vanesën mund ta kuptoj situatën, por nuk e di pse disa të tjerë, si Gresa apo Malbora, nuk komunikojnë me mua. Unë nuk mbaj inate dhe zgjedh të kujtoj vetëm momentet e bukura që kemi kaluar në fermë”, u shpreh ai.
Megjithatë, Indri theksoi se vazhdon të ketë vlerësim të madh për këngëtaren, duke e cilësuar Vanesën si një prej zërave më të veçantë të skenës shqiptare.
“Për mua, Vanesa ka një nga zërat më të bukur dhe më të vyer, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë”, deklaroi ai.
