KreuCelebrity

Dua Lipa dhe Callum Turner kapen në momente intime gjatë muajit të mjaltit në Itali

Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa dhe aktori britanik Callum Turner po vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e mediave me pushimet e tyre romantike në Itali, vetëm pak ditë pas martesës së tyre luksoze.

Çifti u fotografua më 12 qershor duke kaluar momente intime në brigjet e Amalfit, në Salerno, ku u panë duke u puthur dhe përqafuar në det. Dua Lipa u shfaq me një bikini ngjyrë ari dhe një shami në flokë, ndërsa Turner kishte zgjedhur një palë pantallona të zeza plazhi.

Sipas mediave ndërkombëtare, dyshja kurorëzuan dashurinë e tyre më 6 qershor në Villa Valguarnera në Palermo të Sicilisë, në një ceremoni madhështore ku legjenda e muzikës Elton John interpretoi në piano këngën ikonike “Your Song”. Para ceremonisë në Itali, ata kishin zhvilluar edhe një martesë civile më 31 maj në Old Marylebone Town Hall në Londër.

Në ceremoninë luksoze morën pjesë shumë emra të njohur të industrisë së muzikës dhe modës, mes tyre Donatella Versace, Joe Alwyn, Charli XCX me bashkëshortin George Daniel, Mark Ronson, Kevin Parker dhe Peggy Gou. Familjarët e Dua Lipës, përfshirë motrën Rina Lipa dhe babain e saj Dukagjin Lipa, ishin gjithashtu të pranishëm.

Dua Lipa kishte zgjedhur një kostum elegant couture nga Schiaparelli, i dizajnuar nga Daniel Roseberry, i kombinuar me doreza elegante dhe një kapelë të bardhë me strehë të gjerë. Ndërkohë, Callum Turner u paraqit me një kostum klasik blu të errët.

Historia e dashurisë së çiftit nisi publikisht në janar 2024, kur ata u panë së bashku pas premierës së serialit “Masters of the Air” në Londër. Më vonë, këngëtarja konfirmoi lidhjen në rrjetet sociale dhe në vitin 2025 zbuloi se ishin fejuar.

Në një intervistë të fundit për “The Hollywood Reporter”, Turner tregoi se Dua Lipa është një frymëzim i madh për të edhe në aspektin artistik.

“Ti dëshiron të frymëzohesh nga personi me të cilin je,” u shpreh aktori, duke shtuar se sekreti i marrëdhënies së tyre është të kalojnë sa më shumë kohë bashkë, pavarësisht angazhimeve profesionale.