Shtetet e Bashkuara kanë shënuar rikthimin e Kupës së Botës në tokën amerikane për herë të parë që nga viti 1994 me një ceremoni hapëse spektakolare në Los Angeles.
Në një atmosferë elektrizuese në Los Angeles Coliseum, mijëra tifozë nga e gjithë bota u mblodhën për të festuar nisjen e Botërorit 2026, turneu më i madh në histori me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve.
Ylli amerikan Katy Perry ndezi skenën pak minuta para hyrjes së lojtarëve në fushë, ndërsa më herët performuan reperi Future, këngëtarja afrikano-jugore Tyla, artistja braziliane Anitta dhe LISA nga grupi Blackpink.

Pas ceremonisë madhështore, kombëtarja e SHBA-së zbriti në fushë për t’u përballur me Paraguain në ndeshjen e saj të parë në turne.
Atmosfera festive përfshiu të gjithë qytetin e Los Angelesit. Qindra tifozë u panë të veshur me kostume simbolike amerikane, përfshirë Elvis Presley, George Washington, Uncle Sam dhe Davy Crockett.
“Los Angeles është një qytet fantastik me shumë kultura dhe komunitete të ndryshme”, tha tifoz i ekipit amerikan Tommy Paun, i veshur si Elvis Presley
Shumë tifozë udhëtuan mijëra kilometra për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje historike. Joe Lucido dhe Migueli Lipari, të veshur si personazhet Mario dhe Luigi, kishin ardhur nga Detroiti për të mbështetur SHBA-në.
“Jemi këtu sepse e duam futbollin. Nuk ka rëndësi nga vjen apo kush je, të gjithë jemi bashkuar për sportin më të bukur në botë”, u shpreh Lucido.

Edhe jashtë stadiumit emocionet ishin të mëdha. Familje të shumta dhe tifozë me fanella të kombëtares amerikane u mblodhën për të ndjekur atmosferën festive.
Në tribunat e stadiumit nuk munguan as emrat e njohur të Hollivudit. Owen Wilson, Paris Hilton, Sofia Vergara dhe aktori i serialit “Ted Lasso”, Jason Sudeikis, ishin ndër personazhet VIP të pranishëm në ceremoninë hapëse.
Megjithëse atmosfera ishte festive, çmimet e larta të biletave u komentuan nga shumë tifozë, disa prej të cilëve thanë se kishin paguar deri në 1,900 dollarë për të siguruar hyrjen në stadium.

Botërori 2026 organizohet nga SHBA, Kanadaja dhe Meksika dhe pritet të thyejë rekorde pjesëmarrjeje dhe audience në mbarë botën.
