
Një tjetër emër i është shtuar listës së finalistëve të “Ferma Vip”. Këngëtarja Soni Malaj ka siguruar një vend në finalen e madhe, pasi doli fituese në sfidën e mbrëmjes, duke u bërë kështu finalistja e tretë e spektaklit.
Pas Mozës dhe DJ Bujakës, të cilët siguruan finalen falë votave të publikut, ishte radha e një sfide mes fermerëve për të përcaktuar emrin e radhës.
Gara konsistonte në lidhjen e litarëve me një dordolec, i cili më pas duhej lagur me benzinë dhe ndezur. Fitues shpallej konkurrenti, dordoleci i të cilit digjej i pari. Në fazën vendimtare u përballën Soni Malaj dhe Iliri, me këngëtaren që arriti të triumfonte dhe të siguronte biletën për në finale.
Ndërkohë, katër fermerët e mbetur, Iliri, Sara, Romiri dhe Visi, kanë kaluar në televotim. Publiku do të vendosë se cili prej tyre do të vazhdojë rrugëtimin në “Ferma Vip”, ndërsa konkurrenti me më pak vota do të largohet nga gara vetëm katër ditë para finales së madhe.
