KreuCelebrity

Callum Turner zbulon detaje nga jeta me Dua Lipa-n: “Ajo më frymëzon”

Callum Turner zbulon detaje nga jeta me Dua Lipa-n: “Ajo më
Aktori britanik Callum Turner ka folur për marrëdhënien e tij me Dua Lipa-n, duke treguar se këngëtarja është një burim i rëndësishëm frymëzimi në jetën e tij, si në aspektin personal ashtu edhe në atë artistik.

Në një intervistë për The Hollywood Reporter, të realizuar pak javë përpara martesës së tyre, aktori 36-vjeçar u shpreh se e konsideron të rëndësishme të frymëzohet nga partnerja e tij.

“Dëshiron të frymëzohesh nga personi me të cilin je”, tha Turner.

Edhe pse në atë kohë nuk dha detaje për ceremoninë, çifti i dha fund beqarisë më 31 maj me një ceremoni civile në Londër, ndërsa më pas organizoi një festë më të madhe në Siçili.

Turner zbuloi se, pavarësisht angazhimeve profesionale, ai dhe Dua bëjnë çmos që të kalojnë sa më shumë kohë së bashku.

“Sigurohemi që të jemi bashkë sa më shumë që të jetë e mundur”, u shpreh ai.

Romanca e tyre nisi në janar të vitit 2024, kur u fotografuan së bashku pas premierës së filmit Masters of the Air në Londër. Më vonë, në korrik të po atij viti, Dua konfirmoi lidhjen përmes Instagramit, ndërsa në qershor të vitit 2025 zbuloi për British Vogue se ishte fejuar me aktorin.

Megjithëse preferojnë ta mbajnë jetën private larg syrit të publikut, Turner ndau disa detaje nga përditshmëria e tyre, duke treguar se të dy janë të apasionuar pas kinemasë dhe artit.

Së fundmi, çifti kishte shkuar në kinema për të parë filmin horror Obsession, ndërsa më herët kishin parë edhe klasikun One Flew Over the Cuckoo’s Nest, një prej filmave të preferuar të aktorit.

“Ishte hera e parë që Dua e shihte atë film dhe unë vazhdimisht i thosha: ‘Shiko nëse mund t’i dallosh këto fytyra të famshme’. U solla pak si i ditur”, tregoi ai me humor.

Aktori shtoi se ata ndajnë të njëjtin pasion për artin dhe krijimtarinë.

“Unë dhe Dua kemi një botë artistike të përbashkët që e duam, e eksplorojmë dhe e ndajmë me njëri-tjetrin”, tha Turner.

Sipas raportimeve, dyshja kaloi muajt e parë të vitit në Paris, përpara se të rikthehej në Londër. Gjatë pjesës tjetër të vitit, ata pritet të qëndrojnë kryesisht në Shtetet e Bashkuara, ku Turner është i angazhuar me disa projekte të rëndësishme filmike, ndërsa Dua Lipa vazhdon të jetë një nga emrat më të suksesshëm të muzikës pop në botë.