
Pavarësisht se i kanë dhënë fund marrëdhënies së tyre, Ethan Slater duket se vazhdon të ruajë një raport pozitiv me Ariana Grande.
Aktori i “Wicked” ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve pasi ka reaguar me një pëlqim në një postim të fundit të këngëtares në Instagram, në të njëjtën ditë kur mediat amerikane konfirmuan se çifti ishte ndarë pas tre vitesh së bashku.
Postimi i Ariana-s përmbante momente nga koncerti hapës i turneut të saj “Eternal Sunshine”, i mbajtur në Oakland të Kalifornisë. Krahas fotografive nga performanca, artistja shprehu mirënjohjen për publikun, duke shënuar rikthimin e saj në skenë pas shtatë vitesh.
“Faleminderit nga zemra për gjithë dashurinë tuaj. Më keni munguar shumë”, shkroi ajo.
Gjatë mbrëmjes, Grande u shfaq e emocionuar teksa falënderonte fansat, ndërsa nuk munguan as momentet me nota humori, ku gjatë interpretimit të këngës “Thank U, Next” bëri një aludim për martesën e saj të përfunduar me Dalton Gomez.
Ariana Grande dhe Ethan Slater u njohën gjatë xhirimeve të filmit “Wicked” në fund të vitit 2022, ndërsa romanca e tyre u bë publike një vit më vonë. Që prej asaj kohe, ata kanë qenë shpesh në fokusin e mediave rozë.
Burime pranë ish-çiftit bëjnë të ditur se ndarja ka ndodhur disa muaj më parë dhe se të dy kanë zgjedhur të mbeten miq.
“Ata arritën në përfundimin se funksionojnë më mirë si miq. Mes tyre vazhdon të ketë respekt dhe vlerësim të ndërsjellë”, ka deklaruar një burim për mediat amerikane.
Ndërkohë, Ariana Grande është e përqendruar te turneu i saj “Eternal Sunshine” dhe te projekti i ri muzikor “Petal”, i cili pritet të publikohet në muajin korrik.
