
Filmi biografik “Michael”, i frymëzuar nga jeta dhe karriera e ikonës së muzikës Michael Jackson, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në kinematë botërore, duke u bërë projekti më i suksesshëm financiar në historinë e studios Lionsgate.
Sipas mediave ndërkombëtare, të ardhurat globale të filmit kanë kaluar 900 milionë dollarë, ndërsa produksioni vazhdon të tërheqë publikun edhe disa javë pas daljes në kinema. Që prej premierës së tij më 24 prill, “Michael” ka qëndruar mes filmave më të ndjekur në renditjet e box office.
Nën regjinë e Antoine Fuqua, filmi sjell në ekran rrugëtimin e Michael Jackson, nga vitet e para si një talent i jashtëzakonshëm deri në shndërrimin e tij në një nga artistët më me ndikim në historinë e muzikës.
Personazhi i “Mbretit të Popit” interpretohet nga Jaafar Jackson, ndërsa në kast bëjnë pjesë edhe Colman Domingo dhe Nia Long.
Me pritjen pozitive nga publiku dhe rezultatet mbresëlënëse në arkëtime, “Michael” po konsiderohet si një nga biografitë muzikore më të suksesshme të dekadës, duke dëshmuar se trashëgimia artistike e Michael Jackson vazhdon të magjepsë breza të tërë në mbarë botën.
