
Andrea Bocelli do të jetë protagonisti i ceremonisë që shënon nisjen zyrtare të numërimit mbrapsht për Kupën e Botës FIFA 2026. Tenori i njohur italian është zgjedhur të inaugurojë Koncertin Countdown të FIFA-s, një ngjarje e veçantë që më 10 qershor do të bashkojë në mënyrë simbolike Mexico City-n, Toronton dhe Los Angeles-in përmes muzikës dhe pasionit për futbollin.
Në skenën e Auditorio Nacional në Mexico City, përpara mijëra të pranishmëve dhe miliona shikuesve në mbarë botën, Bocelli do të jetë artisti i parë që do të performojë. Ai do të sjellë interpretimin e “Nelle Tue Mani”, këngës së njohur nga filmi “Gladiator”, e cila përfshihet edhe në albumin e tij “Cinema”.
Performanca e tenorit pritet të hapë në mënyrë spektakolare mbrëmjen festive të organizuar nga FIFA, duke shënuar fillimin e një viti të mbushur me pritje për turneun më të madh të futbollit në botë.
