
Jennifer Lopez ka zbuluar se mund të kishte qenë pjesë e një prej performancave më të famshme në historinë e muzikës pop, ajo e Madonna-s me Britney Spears në MTV Video Music Awards 2003.
E ftuar në emisionin “Watch What Happens Live with Andy Cohen”, këngëtarja dhe aktorja rrëfeu se fillimisht ishte parashikuar të ngjitej në skenë së bashku me Madonna-n dhe Britney Spears, por angazhimet në xhirimet e filmit “Shall We Dance?” e detyruan të hiqte dorë.
“Në atë periudhë po xhiroja filmin dhe nuk munda të largohesha për të marrë pjesë në shfaqje”, tha Lopez.
Ajo tregoi se kishte qenë e përfshirë në përgatitjet fillestare dhe madje kishte kaluar kohë me Madonna-n dhe Britney Spears përpara eventit.
“Shkova në shtëpinë e Madonna-s. Ishim unë, ajo dhe Britney. Madonna po luante kitarë dhe ne këndonim bashkë”, kujtoi artistja.
Sipas Lopez, Madonna kishte menduar një performancë ku ajo do të kishte një rol të rëndësishëm, por për shkak të detyrimeve profesionale u detyrua të tërhiqej. Në vend të saj, në skenë u ngjit Christina Aguilera, duke kompletuar treshen që do të hynte në histori.
Performanca e MTV VMA 2003 vazhdon të konsiderohet një nga momentet më të paharrueshme të ceremonisë, kryesisht për puthjen e famshme të Madonna-s me Britney Spears dhe Christina Aguilera, e cila bëri bujë në mbarë botën dhe mbetet një nga skenat më të komentuara në kulturën pop.
