
Malli për familjarët dhe miqtë e ngushtë ka bërë që fermerët e “Ferma VIP” të pranojnë një nga sfidat më të pazakonta të këtij edicioni.
Gjatë spektaklit të së enjtes, në fermë mbërritën miqtë më të afërt të banorëve, por takimi me ta ishte i kushtëzuar. Konkurrentët duhej të gjenin një derrkuc të vogël të fshehur në një enë të mbushur me bajga dhe krimba, ndërsa për të përmbyllur me sukses sfidën, duhej të hanin edhe nga një krimb.
E para që pranoi sfidën ishte Soni Malaj. Pasi gjeti derrkucin, këngëtarja pranoi të hante krimbin dhe kështu arriti të takonte mikeshën e saj të ngushtë, Elën.
Edhe Ilir Shaqiri e përfundoi me sukses provën. Para se të hante krimbin, ai bëri shaka duke thënë: “Në fund të fundit janë proteina”, ndërsa më pas shtoi me humor: “Shiko sa i freskët është”, përpara se të përqafonte mikun e tij, Arbër Sulstarovën.
DJ Bujaka, i cili u surprizua nga ardhja e Kenzo-s, nuk hezitoi ta çonte sfidën deri në fund për të takuar shokun e tij.
Sara, e cila u surprizua nga Enxhi, e gjeti shumë shpejt derrkucin, por pati vështirësi me pjesën e fundit të provës. Ajo vetëm e kafshoi krimbin dhe më pas e nxori nga goja.
Romiri gjithashtu e kaloi me sukses sfidën për të takuar Ervin Bejlerin. Pasi e pastroi krimbin, ai e hëngri dhe me humor këshilloi të tjerët: “Më mirë përcille pa e kafshuar, se nuk ndjen gjë”.
Nga ana tjetër, Vis Pupa deklaroi me shaka se për mikun e tij Mand Peza do të hante edhe dy krimba. Pasi e përfundoi sfidën, aktori vrapoi për ta takuar.
Ndërkohë, Moza e pranoi sfidën duke thënë me humor se po e bënte për publikun dhe spektaklin, edhe pse me Rita Petron mund të takohej në çdo kohë. Pas përfundimit të provës, poetja u shpreh se nuk dëshironte që kjo të kthehej në zakon, duke theksuar se e kishte bërë vetëm për hir të publikut dhe fermës.
