
David Harbour ka thyer heshtjen lidhur me raportimet që sugjeronin se mes tij dhe Millie Bobby Brown kishte pasur tensione gjatë xhirimeve të sezonit të fundit të serialit Stranger Things.
Në një intervistë për Variety, të publikuar më 10 qershor, aktori 51-vjeçar i cilësoi spekulimet si të ekzagjeruara dhe tha se deklaratat e bëra janë nxjerrë jashtë kontekstit.
“Në këtë kohë ku çdo fjali mund të shkëputet dhe të interpretohet ndryshe, është e vështirë të gjesh mënyrën e duhur për t’u shprehur,” tha ai.
Harbour theksoi se marrëdhënia e tij me Millie Bobby Brown, me të cilën ka ndarë ekranin për një dekadë në rolet e figurave baba-bijë, ka kaluar nëpër momente të zakonshme mospajtimi, ashtu si çdo marrëdhënie e gjatë.
“Ky serial ka qenë pjesë e jetës sonë për 10 vite. Gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur diskutime dhe mosmarrëveshje, siç ndodh në çdo familje,” u shpreh aktori.
Sipas tij, çdo keqkuptim është zgjidhur përmes komunikimit dhe nuk ka pasur kurrë probleme serioze mes tyre.
“Kur bisedonim, gjithçka sqarohej. Ishin situata krejt normale. Mes nesh ka pasur gjithmonë respekt dhe dashuri,” shtoi ai.
Aktori la të kuptohet gjithashtu se bashkëpunimi me Millie Bobby Brown mund të mos përfundojë me Stranger Things.
“Do të më shihni sërish me Millie. Dhjetë vite së bashku nuk kanë qenë të mjaftueshme. Kemi krijuar një lidhje shumë të veçantë,” deklaroi Harbour.
Edhe Millie Bobby Brown ka mohuar çdo aludim për marrëdhënie problematike, duke theksuar se gjatë gjithë viteve të punës së përbashkët është ndier gjithmonë e mbështetur dhe e sigurt në set.
“Kemi punuar së bashku për 10 vite dhe unë jam ndier gjithmonë e sigurt,” tha aktorja në një intervistë të mëparshme për Deadline.
Ajo shtoi se marrëdhënia profesionale mes tyre është forcuar me kalimin e viteve dhe se e konsideron eksperiencën në Stranger Things si një nga më të rëndësishmet në karrierën e saj.
