
Zoë Kravitz ka folur hapur për planet e saj për të ardhmen, duke lënë të kuptohet se mund të ngadalësojë ritmin e karrierës në Hollywood për t’iu përkushtuar jetës familjare.
Në një intervistë për British Vogue, aktorja 37-vjeçare tha se nuk e imagjinon veten duke menaxhuar njëkohësisht rolin e nënës dhe angazhimet e mëdha profesionale, pasi beson se çdo gjë kërkon përkushtim të plotë.
“Kur vendos të bëj diçka, dua t’i përkushtohem me gjithë energjinë time. Duke njohur veten, nuk mendoj se do të mund të rris një fëmijë dhe në të njëjtën kohë të merrem me regji apo projekte të mëdha. Duhet të zgjedhësh ku dëshiron të investosh veten”, u shpreh ajo.
Gjatë bisedës, Kravitz preku edhe anën personale të jetës së saj, duke komentuar sfidat që sjell një lidhje e zhvilluar nën vëmendjen e vazhdueshme të mediave. Aktorja pranoi se ekspozimi publik shpesh mund të jetë i lodhshëm dhe i pakëndshëm.
“Të jetosh gjithçka nën vëzhgimin e publikut nuk është e lehtë. Ka momente kur do të doja të zhdukesha nga vëmendja, por ka edhe raste kur zgjedh të mos lejoj që fama të ndikojë në mënyrën se si jetoj”, tha ajo.
Ndërkohë, mediat e huaja vazhdojnë të spekulojnë për të ardhmen e marrëdhënies së saj me Harry Styles. Sipas raportimeve, dyshja po shqyrton mundësinë e organizimit të një ceremonie intime martese, megjithëse as Kravitz dhe as Styles nuk kanë bërë një konfirmim zyrtar për këto zëra.
