Shfaqja “Yjet mbi Butrint” nga Timo Flloko bëri bashkë emra të njohur të botës së artit dhe medias mbrëmjen e 8 korrikut në Amfiteatrin e Butrintit.
Ajo natë magjike që rizgjoi Amfiteatrin dhe dhuroi një spektakël të jashtëzakonshëm, një buqetë me poezi nga Timo Flloko, vargje që ndër vite janë kthyer në këngë ikonike, do të transmetohet këtë të premte, më 1 dhjetor, në orën 21:00, në televizionin Klan.
“Yjet në Butrint”, e cila u mbajt nën kujdesin e regjisores së mirënjohur Vera Grabocka, dhuroi emocione të jashtëzakonshme jo vetëm për ata që u ngjitën në skenë, por edhe për publikun e përzgjedhur, të cilët patën mundësi ta shijojnë nga afër shfaqjen.
Këto emocione tashmë gjithë teleshikuesit e televizionit Klan do t’i shijojnë përmes ekranit.
Artisti Timo Flloko në “Yje mbi Butrint” i dha zë vargjeve më të bukura për jetën e dashurinë, ndërkohë tenori Saimir Pirgu dhe emra të tjerë të njohur të artit dhe muzikës, si Luiza Xhuvani, Ema Andrea, Nik Xhelilaj, Ledina Çelo, Arilena Ara, Rovena Dilo, Marsela Çibukaj, iu bashkohen mbrëmjes maratonë.



















