KreuFashion

Haaland ndërron fushë: Nga Botërori drejt rreshtit të parë të Dolce & Gabbana bashkë me partneren e tij Isabel Haugseng Johansen

Haaland ndërron fushë: Nga Botërori drejt rreshtit të

Vetëm pak ditë pas eliminimit të Norvegjisë nga Kupa e Botës 2026, Erling Haaland ka lënë përkohësisht pas emocionet e futbollit për t’u shfaqur në një tjetër “fushë”: atë të modës.

Sulmuesi norvegjez mori pjesë në sfilatën luksoze “Alta Sartoria” të Dolce & Gabbana në Siçili, së bashku me partneren e tij, Isabel Haugseng Johansen. Çifti mbërriti dorë për dore dhe tërhoqi menjëherë vëmendjen me veshjet e koordinuara në nuanca të bardha.

Haaland zgjodhi një kostum elegant me xhaketë të bardhë dopiopetë, këmishë në të njëjtën ngjyrë dhe pantallona me prerje të lirshme. Pamjen e kompletoi me syze të mëdha të zeza, një karficë të artë në jakë dhe këpucë blu, të cilat krijonin kontrast me veshjen monokromatike.

Në krah të tij, Isabel shkëlqeu me një fustan të gjatë në tonalitete të bardha dhe argjendi, të mbuluar me gurë vezullues dhe fije kristalesh. Modeli me rripa të hollë dhe dekolte në formën “V” i jepte veshjes një pamje elegante, ndërsa flokët e kapur dhe grimi i lehtë e mbanin gjithë vëmendjen te fustani.

Kjo nuk është hera e parë që Haaland merr pjesë në aktivitetet e shtëpisë italiane të modës, pasi futbollisti ishte i pranishëm edhe në edicionin e vitit të kaluar.

Përtej paraqitjeve të tij në fushë, 25-vjeçari është komentuar shpesh edhe për stilin personal dhe pasionin për çantat luksoze. Sipas raportimeve, koleksioni i tij privat mund të ketë një vlerë prej më shumë se 800 mijë dollarësh dhe përfshin disa modele të rralla të Hermès.

Mes tyre dallohen çantat “Haut à Courroies”, të njohura si paraardhëset e modelit ikonik “Birkin”. Një prej pjesëve më të veçanta të Haaland është modeli i personalizuar “Endless Road”, me detaje që krijojnë pamjen e një rruge malore.

Futbollisti është fotografuar gjithashtu duke mbajtur çantën “Birkin 25” të Isabel brenda çantës së tij më të madhe “HAC 50”, një moment që u bë viral në rrjetet sociale.

Paraqitja në Siçili erdhi pas një Botërori të paharrueshëm për Haaland dhe Norvegjinë. Sulmuesi realizoi dy gola ndaj Brazilit, duke ndihmuar kombëtaren e tij të arrinte një kualifikim historik në çerekfinale, përpara se rrugëtimi i norvegjezëve të ndalej nga Anglia.

Nga golat dhe festa tradicionale “Viking Row”, te kostumet elegante dhe çantat e rralla, Haaland vazhdon të dëshmojë se di të tërheqë vëmendjen si brenda, ashtu edhe jashtë fushës.