KreuStil Jetese

6 libra të rinj, sugjeruar nga Bordo!

6 libra të rinj, sugjeruar nga Bordo!

Parajsa artificiale

Autori: Ben Blushi - Çmimi: 1000 lekë

Simon Shuter tregon si do të jetë bota në kohën e Inteligjencës Artificiale, e cila do të zhdukë gënjeshtrën, tradhtinë, dëshpërimin dhe veset e njeriut. Ai parashikon sesi do të jetë bota në kohën kur Inteligjenca Artificiale do të zëvendësojë njeriun, duke zhdukur tre armiqtë e tij: punën, paranë dhe Zotin. Në parajsën e Shuter nuk do të ketë as të varfër dhe as të pasur, nuk do të ketë shtet, as demokraci dhe njerëzit nuk do të votojnë. Kjo është bota ideale e Simon Shuterit. Është utopia e tij e plotësuar nga Inteligjenca Artificiale...

Fshesarja e Republikës

Autori: Anisa Markarian – Çmimi: 1000 lekë

Romani “Fshesarja e Republikës” bazohet në përfytyrimet e fëmijërisë të Anisa Markarianit. Libri është një pasqyrë e dhunës dhe korrupsionit në shoqërinë shqiptare, e cila vjen te lexuesi përmes personazhit të Vezullores. Me një stil unik, i cili kombinon realizmin magjik dhe humorin e zi, Markarian trajton tema të rëndësishme sociale, si dhuna ndaj grave, korrupsioni dhe përpjekjet për të sfiduar një regjim të shkatërruar, duke u fokusuar në jetën e Vezullores, një vajzë që është simbol i rebelimit dhe rezistencës ndaj padrejtësive.

Të vërtetat që mbartim

Autori: Kamala Harris – Çmimi: 1400 lekë

Ky libër rrëfen historinë frymëzuese të një gruaje mbi supet e së cilës qëndron shpresa e një kombi të tërë. Ajo është zëvendëspresidentja e parë grua dhe me ngjyrë e SHBA-së. Në libër, ajo tregon udhëtimin e saj të pakrahasueshëm me të tjerë, si bijë e një emigranteje indiane dhe një xhamajkani, e cila ia doli të bëhej prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë, madje si paditëse e kishte parësore drejtësinë sociale. Gjatë kohës së krizës, ajo fitoi betejën me bankat dhe bizneset e mëdha dhe mbrojti interesat e qytetarëve të thjeshtë...

“Mirë se erdhe në Rebibbia”

Autori: Elsa Lila – Çmimi: 1400 lekë

Libri “Mirë se erdhe në Rebibbia” i artistes Elsa Lila, i shkruar në formën e një ditari, rrëfen gjithë përjetimet e saj në dy muaj, që nga çasti që policia trokiti në derë dhe të gjithë kohën që ajo kaloi në burg. Një rrëfim nga ferri tek e qeshura, me shumë dhimbje, por edhe shpresë. Elsa Lila ka arritur që për dy muaj të shkruajë librin e saj të parë, duke kujtuar ngjarje të cilat tronditën jetën e saj artistike, ndërkaq përmes këtij ditari, ajo sjell edhe perceptimet e saj mbi fenomene të caktuara, që ka arritur t’i sjellë në një këndvështrim krejt origjinal.

Dollia

Autori: Sherif Bundo – Çmimi: 1000 lekë

Kodi i dollisë në zemrën e vet ka lëvdimin dhe nxjerrjen në pah të vlerave më të mira të gjithsecilit. E ku ka shprehje më të bukura se “të paça”, “ti që më gjete mua të gjettë e mira”, “ai është ta pish në kupë”, “të pifsha dollinë”, e sa e sa perla të tjera. Profesor Bundo ka zbuluar në këtë libër se kudo ku ngrihet dolli, ka edhe këngë polifonike. Ajo lindi, u latua dhe u pasurua në sofrat e këtyre trevave. E nëse kjo vlerë është unike për shqiptarët, pse të mos përfshihet edhe në pasurinë ndërkombëtare të UNESCO-s?

Rebeli Fan Noli

Autori: Ilir Ikonomi – Çmimi: 1900 lekë

Ky botim trajton Nolin si politikan, drejtues shteti e reformator, ndonëse historia tregoi që mendimet dhe vizionet e tij demokratike liberale mbetën në kuadër të një programi politik, i cili për shumë arsye nuk arriti të realizohej, madje vlerësuar sot në retrospektivë as që mund të ishte e mundur të arrihej në tërësinë e tij, në Shqipërinë e viteve 1920. Noli qëndroi në Shqipëri jo më shumë se 2 vjet e gjysmë. Ndaj, me të drejtë Ikonomi shkruan se “gjatë kësaj kohe të shkurtër betejat e tij ishin komplekse, prandaj i tillë është dhe ky libër”.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF