KreuStil Jetese

Nga takat e Tiranës në majat me breshër: Historia e nënës që la jetën urbane për malet

Nga Olsi Kolami

Nëse e takoni në rrugët e Tiranës, mund ta shihni me këpucë me taka dhe elegante, krejt në sinkron me ritmin e qytetit. Por, sapo del nga rutina e përditshme, Xhejsika Kapaj shndërrohet në gruan "e çmendur" pas aventurave. Për të, hiking-u nuk është thjesht një hobi, por një nevojë për t’u ndjerë e lirë, një betejë ku forca mendore dhe fizike ndeshet me terrenet më të egra. Nga ngjitjet e vështira në malin e Çikës ku breshërin e priti si provë durimi, deri tek aventura në Via Ferrata, ajo ka mësuar se çdo ‘shteg’ i vështirë është një mësim për jetën. Por, përtej imazhit të gruas që nuk pyet për paragjykime, fshihet ajo nëna ‘e butë dhe e egër’ që e ndan jetën mes dëshirës për të kapur horizontin dhe dedikimit ndaj tre fëmijëve të saj. Xhejsika Kapaj rrëfen se si sfidon veten në majat e maleve dhe mes natyrës së egër, ku ka gjetur lirinë, qetësinë dhe forcën. Pa filtra, ajo rrëfen pasionin për ta jetuar jetën në lëvizje, pa synuar majat, por vetëm limitet që i vendos vetes...

Xhejsika, cila ka qenë aventura jote e fundit?

Të them të vërtetën mbaj mend më shumë destinacionin e radhës, por i fundit ka qenë Via Ferrata në Pejë. Ishte një udhëtim i këndshëm, pak crazy, por shumë i bukur, sepse përfshinte një ngjitje me litarë.

Cilën do të klasifikoje si aventurën më të bukur?

Nuk mund të bëj diferencime midis njërës apo tjetrës, sepse ato janë të gjitha shumë të bukura dhe secila prej tyre të lë një mbresë ndryshe. Sido të jetë ajo e vështirë apo e thjeshtë, secila ka ato bukuritë e veta.

Kush të shoqëron në udhëtimet e tua?

Vetja ime është ajo që më kënaq në çdo udhëtim. Nuk jam një natyrë që dua shumë grupe, preferoj të jem në ato guida me pak njerëz që ta shijoj. E duke qenë se jam një natyrë që lodhem nga pritja, dua të iki të eci. 

Që të ngjitësh majat që synon, do energji dhe përgatitje më përpara. Cila është rutina jote fizike?
Patjetër që do përgatitje, do pak guxim, do pak adrenalinë në vetvete. Nuk është se unë kam ndonjë përgatitje për të kryer atë ngjitjen. Vetvetiu lindin gjërat, jo rastësisht dua të bëj sport dhe këtë e bëj jo për të ngjitur, por për t’u ndjerë mirë me veten. E njëjtë vjen edhe dëshira për të ngjitur malet e për të ecur. Patjetër që përgatitja duhet, se jo çdo njeri i papërgatitur fizikisht dhe mendërisht mund të eci dhe mund të ngjisë çdo mal. Shpesh duhet të kesh një forcë ndryshe nga të tjerët, ku ti mund të ndalosh dhe thua unë s'ia dal dot. Më ka ndodhur dhe mua kur ishim në Greqi. Jam lodhur, nuk guxoja të ecja dot më. Guximi, thashë do t’ia dalë, do t’ia dal, do eci edhe ia dola.

Cili ka qenë momenti që të nxiti për të bërë hiking?

Nuk ka qenë moment, ishte thjesht vendosje. Thashë do provoj diçka ndryshe. E provova, e pashë që më përshtatej. Shkonim bukur të dyja. Ecim bukur me njëra-tjetrën dhe mendova që do ta bëj rutinë të jetës sime, ndoshta të përditshme jo absolut, sepse duke qenë se kam edhe obligime të tjera, familja, punët, por mendoj se kur kohën e kërkoj dhe e kam pak të lirë, e shfrytëzoj në maksimum të zhdukem nga këtu.

A ka një konkurrencë mes vajzave ose djemve një si tip gare, kush ecën më shpejt, kush nuk lodhet?

Jeta më ka mësuar gjithmonë që të jem e fortë dhe e përballur me natyrën e egër. Mendoj se unë nuk krahasohem dhe nuk dua ta them femrat apo meshkujt, secili ka ato të vetat. Përgjithësisht kur jam me çuna ndihem më e privilegjuar sepse duhet t'i arrij ata. Më pëlqen thjesht ta shijoj natyrën, edhe të jem vetvetja aty ku duhet të jem. Patjetër në shoqëri me çuna është më mirë. Ma besoni.

A ke pasur një person që të ka mbështetur në këtë rrugëtim?

Jo nuk kam pasur asnjë njeri. Kam një shoqe të çmendur, Ersen, që kudo shkoj vjen edhe ajo. Por mendoj se nuk duhet të kesh një shtysë për të bërë diçka. Unë si Xhesi nuk kam pasur asnjëherë asnjë shtysë. Thjesht kam thënë do ta bëj dhe e kam bërë.

Cili ka qenë mali që kur ke arritur në majë ke thënë përderisa bëra këtë mund të bëj çdo gjë?

Ka qenë në malin e Çikës. U nisa për në Vlorë për diçka të thjeshtë dhe më doli shumë e vështirë. U lodha sepse kushtet meteorologjike nisën për diell, ndërsa atje binte breshër. Këto janë çmenduri të lezetshme.

A ndihet një grua e lirë dhe e fortë mbase shpesh herë e paragjykuar?

Kjo është e brumëzuar që në gjenezë. Mendoj se njerëzit që duan të bëjnë gjëra ndryshe shihen me një sy ndryshe dhe patjetër që gjykohen. Gjykohen sepse shpesh herë ato që ti mendon se janë të thjeshta për ata duken shumë të vështira dhe të gjykojnë në të gjitha këndvështrimet. Por çdo gjykim të bën më të fortë për të ecur dhe për të realizuar ëndrrën tënde apo pasionin që ke. Unë nuk kam kohë të merrem me ata që paragjykojnë, thjesht i shoh si diçka kalimtare që më bëjnë më të fortë.

A ke patur komente negative?

Nuk kam kohë t'i shoh, sepse thjesht shijoj, jetoj. Patjetër që ka komente: si ja del? Ata lodhen duke më gjykuar mua çfarë bëj unë, ndërkohë nuk bëjnë asnjë gjë në jetën e tyre.

Cila arsye do të të bënte të dorëzoheshe?

Asnjë arsye nuk më ndalon, asnjë arsye nuk më limiton. Në qoftë se shëndeti më sforcon, aty ndoshta do stopoj. Por asnjë gjë në botë nuk më ndalon të bëj atë që dua dhe atë që bëj më mirë. Mali, përtej bukurive, ka dhe rreziqet e veta dhe gjërat e bukura gjithmonë janë të rrezikshme për t'u arritur.

Pasioni është njëra anë, por a ka ai një kosto financiare, pra sa kushtojnë këto udhëtime?

Këto ecin të dyja bashkë. Patjetër që kanë kosto, por kanë më pak kosto se pish një kafe dhe të hash një drekë në një restorant, kur ti zgjedh midis luksit të shfrenuar dhe natyrës të ofruar. Ma beso ti shijon një sanduiç të thjeshtë kur je atje dhe është më bukur se një kafe apo një drekë në një restorant të shtrenjtë të Tiranës.

Si është Xhejsika si mami?

Të flas për veten është e vështirë sepse në qoftë se do të ishin prezent tre fëmijët e mi do të thoshin “posi vdes t'i bëj çik qejfin vetes me lajka”. Mundohem të jem një mami aq e egër, aq e butë, aq shoqe me ta dhe autoritare. Në një libër që kam lexuar diku thoshte: duhet të jesh edhe të kenë frikë, sepse nëse të kanë frikë dinë dhe të duan dhe të respektojnë për atë që je. Unë e kam, tërhiqe mos e këput. Jam pak e mirë dhe pak e egër.
A udhëton bashkë me fëmijët?

Amanda është 14 vjeçe, Amar 10 vjeç dhe Jason 8 vjeç dhe shpesh udhëtojmë bashkë në natyrë. Amanda është natyrë që do të shijojë edhe ushqimi t'i vijë aty, preferon më tepër kampingjet ku të marrë diell dhe të lahet. Amar është natyrë që i pëlqen të eci dhe më kërkon vazhdimisht më merr, më merr me vete. Ndërsa Jason është si njësoj si unë, kudo të shkojë ai kënaqet.

Kur largohesh për disa ditë për një udhëtim sa herë i merr në telefon?

Ç'pyetje më ke bërë? Edhe kur nisem ma bëjnë ata të grupit, “I ke sistemuar fëmijët? Se nuk kemi nerva të dëgjojmë telefonin 70 herë në sekondë”. Jam shumë e lidhur me të tre fëmijët. Patjetër që merakosem dhe i marr shpesh në telefon. Duke qenë në mal ku nuk kapin valët për tre katër orë kudo bëhem shumë keq ndonjëherë nuk e shijoj ashtu siç duhet.

Për çfarë janë ata më shumë krenarë për ty? A të kanë thënë diçka që e kujton?

Unë nuk pretendoj se ata mund të më shprehin ndonjëherë krenarinë e tyre për atë që unë jam. Amar ka filluar të ketë një shoqe dhe ka thënë mami është me kaçurrela dhe me sy të bukur si ty! Jason thotë shoqja ime është buçko si ty mami, ndërsa tek Amanda kërkoj atë karakterin tim të fortë që ta ketë si femër. Nuk  pres të më vlerësojnë, pres të më shikojnë dhe të më kenë prezente në jetën e tyre për atë që unë kam dhënë dhe ata të kërkojnë për të jetuar mirë.

Një grua që bën hiking, çfarë ka në gardërobën e saj ndryshe nga gratë e tjera?

Unë në gardërobën time kam atlete sepse merrem me sport, veshjet e hiking, por edhe këpucë me taka. Mamit tim gjatë gjithë jetës i është dashur të ketë vetëm këpucë me taka, se ishte 1.20cm, ndërkohë babi basketbollist 2 metra. Pra, varet nga ajo çka jeta e përditshme ty të jep - unë kam një larmishmëri gjërash.

Cili është destinacioni i ëndrrave të tua?

Unë nuk ëndërroj shumë dhe kjo më ka bërë mirë. Unë thjesht ngrihem, e them do bëj këtë, po e bëra mirë, po s'e bëra, prapë mirë. Nuk dua të ëndërroj, sepse sa herë ëndërroj, asnjë gjë nuk më realizohet dhe them më mirë t’ia lë kohës.

Çfarë do t'i thoje të gjithë atyre që ende nuk e kanë ngjitur një majë mali?

Duhet të fillosh të thuash shumë gjëra më parë se të shkosh te mali. Thjesht dua të them të kujdesemi pak më shumë për shëndetin tonë mendor dhe atë fizik, sepse nëse ne i kemi të dyja jemi mirë me veten tonë.