KreuStil Jetese

Zbulimi që po jep shpresë për miliona gra: Endometrioza mund të zbulohet me një test gjaku

Zbulimi që po jep shpresë për miliona gra: Endometrioza mund

Një test i ri gjaku mund të sjellë një kthesë të rëndësishme në diagnostikimin e endometriozës, një sëmundje që prek rreth 190 milionë gra në mbarë botën dhe që shpesh kërkon vite të tëra për t’u zbuluar.

Sipas një studimi të ri, testi arrin të identifikojë një model të veçantë hormonal që gjendet vetëm te personat me endometriozë, me një saktësi mbi 95%. Ky zbulim shihet si një hap i madh drejt diagnostikimit më të shpejtë të një sëmundjeje që aktualisht mund të marrë deri në 12 vite për t’u konfirmuar.

Endometrioza është një gjendje ku ind i ngjashëm me atë të mitrës rritet jashtë saj, duke shkaktuar dhimbje të forta, probleme me fertilitetin dhe ndikim të madh në cilësinë e jetës. Deri më sot, diagnostikimi bëhet kryesisht përmes ekzaminimeve pelvike, ekografisë, rezonancës magnetike ose laparoskopisë, një ndërhyrje kirurgjikale minimale që lejon mjekët të shohin organet e barkut dhe legenit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se vonesat në diagnostikim janë ende të mëdha, sidomos në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku qasja në diagnostikim dhe trajtim është e kufizuar.

“Prej vitesh, gratë me endometriozë janë detyruar të presin gjatë, shpesh në mënyrë të papranueshme, për të marrë një diagnozë të saktë." u shpreh Emma Cox, drejtuese e Endometriosis UK, duke theksuar se në Mbretërinë e Bashkuar diagnoza mesatarisht vonon mbi 9 vite. Sipas saj, kjo vonesë pengon trajtimin në kohë dhe mund të lejojë përparimin e sëmundjes.

Studimi u realizua nga një ekip kërkuesish që analizuan nivelet hormonale në gjakun e 159 grave me endometriozë të konfirmuar dhe 57 grave pa këtë sëmundje. Vëmendja kryesore u përqendrua te androgjenet, përfshirë një grup hormonesh të prodhuara nga gjëndrat mbiveshkore.

Rezultatet treguan se gratë me endometriozë kishin një “gjurmë hormonale” të dallueshme, përfshirë nivele të larta të hormonit 11-ketotestosterone, i njohur për rolin e tij në zhvillimin e muskujve dhe organeve seksuale.

Falë këtij ndryshimi hormonal, studiuesit arritën të dallonin me më shumë se 95% saktësi pacientet me endometriozë nga ato pa këtë gjendje.

“Këto gjetje shënojnë një përparim të rëndësishëm në kuptimin tonë për endometriozën,” tha Douglas Gibson, bashkautor i studimit në Universitetin e Edinburgh-ut.

Ai shtoi se ekipi është optimist se ky zbulim mund të çojë në diagnostikim më të hershëm dhe në zhvillimin e trajtimeve të reja për personat e prekur nga kjo sëmundje.

Edhe pse testi nuk paraqitet ende si një metodë e zakonshme diagnostikimi në praktikën klinike, rezultatet e studimit kanë ngritur shpresa të mëdha se në të ardhmen endometrioza mund të zbulohet më shpejt, më thjeshtë dhe pa qenë e nevojshme që pacientet të presin vite për një përgjigje.