KreuFashion

Sunrise, aty ku lind dielli

Janë ditët e para të verës dhe Tirana është kthyer në një furrë që djeg. Trafiku i lodhshëm, zhurmat shurdhuese dhe pluhuri asfiksues, janë një stres për këdo që dëshiron të kalojë një ditë të qetë në zemër të metropolit. Gjithçka zhduket si me magji sapo kalon Saukun dhe zbret tatëpjetën e drejt autostradës që çan përmes fushave dhe ndal tek TEG-u. Dredhojmë majtas pas ndërtesës së qendrës tregtare, ku menjëherë të çlodhet shikimi nga peisazhi magjepsës i kompleksit rezidencial “Sunrise”. Sapo hyn tek porta kryesore ndjen një fllad që nis të përkëdhelë butësisht fytyrën, ndërsa në sfond ndihet piskama e gjinkallave që ‘buron’ nga një vreshtë e cila ndodhet majtas, ajri i pastër dhe i freskët ndjen që të mbush mushkëritë, ndaj slogani i projektit është ‘Jeto Tiranën Ndryshe’.
Kompleksi rezidencial “Sunrise”, është vendosur hirshëm mbi një kodrinë të butë ku krah më krah janë pozicionuar një brez vilash dhe apartamentesh të rrethuara me një kurorë të gjelbër, e po ashtu brenda tyre gjenden plot pesë parqe çlodhëse me bimësi dekorative. Sapo vë këmbën aty, e kupton se prej nga ka lindur emri Sunrise – Lindja e Diellit, pikërisht përmbi kodrinë që në mëngjes herët rrezet e arta ngrohin të parat vilat dhe apartamentet duke cekur tarracat ekologjike, verandat, çatitë dhe fasadat e gurta të ndërtuara me materiale të bartura nga malet e Skraparit.
Në hyrje, na pret Zamira Mustafaraj, drejtore e projektit Sunrise  dhe inxhiniere Pranvera Mero. Që në hyrje, vendroja të magjeps me një instalacion arkitektonik ku gërshetohet këndshëm betoni dhe metali që zbutet nga një shatërvan.
Ndjehet ende era e rrugës së sapoasfaltuar që zgjaton në mes të një korridori i cili ndërpritet herë pas here nga disa ‘ura’ lidhëse që identifikojnë zonën e apartamenteve nga ajo e vilave e krijojnë hapësira të këndshme me hije.
Është një qetësi parajse, e cila prishet tek-tuk nga cirrula e ujit që rrjedh nëpër një ‘qilim’ të gjelbër që mban të freskëta parqet që lidhin secilën prej godinave.
Banorët e parë kanë mbërritur dhe po nxitojnë të akomodohen brenda shtëpisë së ëndrrave. Kushdo mund të zgjedhë për ta pasur një apartament ose një vilë unike. Stili i vilave dhe apartamenteve është tipik mesdhetar me çati gjysmë të pjerrëta që mbarojnë mbi një verandë të bollshme me pamje madhështore. Prej aty dallohen disa oaze të gjelbra me bimë dekorative ulliri, shegësh dhe agrumesh që ‘çajnë’ ambjentet e përbashkëta që nuk janë veçse disa parqe të dekoruar me guralecë dhe livando mbjellë mbi tarraca ekologjike. Inxhinieret na shëtisin nëpër kompleks duke na shpjeguar çdo detaj të projektit, i cili ka marrë jetë dhe është gati të presë banorët e parë. “Projekti përfshin një planimetri brenda së cilës vendosen një bllok apartamentesh në njërin krah, e në tjetrin vilat, plot 66 të tilla me një arkitekturë të studiuar deri në detaje”. Apartamentet 3 katëshe janë të bollshme, plot ajër e dritë që depërton nga çdo anë. Ato kanë parking të dedikuar dhe secila prej tyre lidhet me ambjente të përbashkëta çlodhëse dhe argëtuese përmes një cirkuiti pedonal prej 700 metrash linearë që rrethon përqark kompleksin, e herazi kryqëzohet me ‘ndalesa’ çlodhëse. Krah rrugës pedonale e brenda parqeve janë vendosur stola të gurtë me ndenjëse druri ku do të lodrojnë fëmijët me patina apo biçikleta, e prindërit apo gjyshërit mund t’i kqyrin qetësisht prej këndit çlodhës.
Inxhiniere Pranvera na rrëfen se gërshetimi i elementëve të çatisë dhe verandës të jep përshtypjen e një rezidence fshati me fasada unike dhe mure të ngritura falë sistemit ‘kapot’, i cili si teknologji e fundit e ndërtimtarisë, arrin të kursejë deri në 40 për qind të energjisë.
Duket interesante ideja e zbatimit të dritareve panoramike në të gjithë kompleksin, e sidomos në vila prej nga zgjatet një ballkon i bollshëm i cili ofron pamje dhe shumë dritë, me një kopësht të vogël. Këtu na tregojnë se xhamat janë izolues të përsosur të zhurmave, madje ato arrijnë të kthejnë mbrapsht rrezet ultra të kuqe që mund të depërtojnë përmes qelqit normal. Në vila ka një dhomë ndenjie të bollshme, një kat më sipër dhomat e gjumit me banja, e sipër para se të dalësh në verandë, gjendet një tjetër hapësirë që mund të shfrytëzohet si studio. Në katin poshtë, një parking i bollshëm për të akomoduar dy makina, ka ngjitur ambjentin e lavanderisë dhe tharjes, e krah tij, një tjetër vend që mund të shfrytëzohet si garderobë shtesë për rrobat apo aksesorët e dimrit, si vinotekë apo hapësirë lojrash për fëmijët.
Secila nga vilat dhe apartamentet ka në total pesë parqe të gjelbëruara, e po ashtu ato lidhen me zona shërbimi si parukeri – estetike, market dhe lojra për fëmijë. Duke zbritur, gjendet një fushë sporti me palma për kohën e lirë, e ndanas një pishinë për të larguar vapën e ditëve të nxehta të kryeqytetit, një zonë dedikuar vetëm për banorët e kompleksit Sunrise. Në të djathtë ngrihet një zonë shërbimi ku përfshihet një parkim i nëndheshëm, e përmbi të palestra me pamje të bollshme për syrin nga pishina, e katin pasardhës një lokal i cili do të jetë hapësira pushuese për banorët e privilegjuar të kompleksit rezidencial.
Kjo vizitë në kompleksin Sunrise duket sikur zgjati fare pak për ne, e kjo për qetësinë që ofron hapësira prej 23 mijë metrash, ndaj nuk të bëjnë këmbët të largohesh lehtësisht.
Ikim duke lënë pas rrugën që të çon drejt e në kompleks. Perëndimi i diellit është në prag dhe duket sikur po fshihet me vrik pas kodrave të Mulletit, e teksa kthej kokën pas, një rreze e fortë drite bie ende tek Sunrise, si për të treguar se në kryeqytet ka lindur një rreze e re shprese për ata që duan një jetë ndryshe, një mirëqënie të garantuar për vete e pasardhësit e tyre. Nuk ka dyshim që do të kthehem sërish aty, ndoshta për të vendosur përfundimisht nëse zgjedhja ime ideale është një vilë apo apartament, i cili do të ndryshojë jetën time…!

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF