KreuStil Jetese

Buble, Federer dhe plot yje nën objektivin e Fadil Berishës për Rolex

Nga bota e modës, bukurisë, artit, sportit, politikës apo biznesit?! Çdo kush nën objektivin e tij merr sharmin që i takon. Nën objektivin e fotografit botëror Fadil Berisha nuk mund të ndodhë ndryshe. Ndaj dhe sukseset e tij nuk kanë të ndalur. Kompania lider në botë e orave ROLEX i ka besuar sërish Berishës, teksa e ka përzgjedhur si fotografin zyrtar të fushatës së fundit publicitare, ku edhe këtë herë nuk mungon superylli i muzikës amerikane, i adhuruari nga femrat në gjithë botën, Michael Buble. I vendosur në një skenë, me baterinë në sfond, qëndrimin e tij tipik sytë të ndalojnë tek eleganca me të cilën dora e tij, me orën e mrekullueshme ROLEX mban mikrofonin. Mandej, nuk është aspak e vështirë për të ndjerë ritmin dhe melodinë që zëri i tij përçon. “Sesioni i preferuar fotografik me Michael Buble, i insipiruar nga vitet ‘50”, ka shkruar fotografi Berisha përkrah fotos së këngëtarit të hitit “Home”.
Çdo personazh në fotot e Fadil Berishës flet me fytyrën e tij. Të tillë vijojnë të jenë të tjerë emra të përzgjedhur për këtë fushatë të madhe siç janë dy ikonat e operas Placido Domingo dhe Renee Fleming, aktori komedian Adam Paul Scott, ylli i muzikës Jazz Diana Krall, apo tenisti fenomenal Roger Federer! Nëse lundron në fotot e fotografit Berisha sheh se kësaj fushate i është bashkuar edhe mbesa e Mbretëreshës Elizabeth II dhe Prince Philip, kalorësja e njohur Zara Phillips.
Çdo foto e realizur nga Berisha dëshmon luks dhe saktësi, sikundërse ROLEX është. Për Fadil Berishën ky është një tjetër rikthim i bujshëm si fotograf zyrtar i kompanisë Rolex. Në vitin 2008 ai si fotograf i Rolex fotografoi modelen shqiptare Eralda Hitaj, fotot e të cilës u publikuan në Vogue.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF