Në kërkim të një ekstaze shpëtimi që vetëm arti mund ta kultivojë, për ndoshta çështjen më të rëndësishme të momentit, atë të emigracionit, artisti i mirënjohur Helidon Xhixha prezanton këtë vit në Bienalen e Dizajnit në Londër, “Bliss”. U përzgjodh si një nga tre veprat që u instaluan në oborrin e Somerset House, “Bliss” i Xhixhës u bashkohet 36 veprave nga e gjithë bota, ku nëpërmjet tyre artistët janë përpjekur të dizenjojnë një shoqëri perfekte, në të cilën njerëzit do të mund të realizonin një bashkëjetesë krejtësisht të lumtur. E tillë është tema “Utopia nëpërmjet dizajnit”, për të festuar përvjetorin e pesëqind të punës filozofike të Thomas More rreth fiction-it, “Utopia”.
“Në zgjodhëm këtë temë për të festuar përvjetorin e pesëqind të publikimit të klasikut e Thomas More, dhe njëkohësisht për të reflektuar rreth historisë së pasur që frymëzoi dizajnin modern”, u shpreh drejtori i Bienales së Dizajnit në Londër Christopher Turner.
Përveç se një nga tre të përzgjedhurat që u vendosën në oborrin e Somerset House, “Bliss” i Xhixhës është konsideruar, nga revista “Azure”, si një nga pesë ekspozitat më ngacmuese në këtë Bienale.
Çfarë është “utopia” veç në mos gëzimi i turmës? Xhixha, si përfaqësues i denjë i Shqipërisë sugjeron se vetë-reflektimi dhe komuniteti janë dy elementet bazë që nevojiten në një situatë të paprecedentë emigracioni, si kjo e tanishmja, me pasiguri të mëdha ekonomike.
Me këtë vepër arti duke iu përmbajtur temës Helidon Xhixha, është munduar të pasqyrojë kuptimin e vërtetë të lumturisë që lind sipas tij nga një ekuilibër i brendshëm. Me “Bliss” artisti shqiptar ka dashur të përfaqësojë ata persona që kërkojnë, si refugjat Eldoradon e re, por edhe në mbështetje të atyre personave që jetojnë në Europë dhe e kuptojnë nevojën për të ndarë një të ardhme më të mirë me atë që, pavarësisht fatkeqësisë, kërkon t’ia dalë mbanë për fëmijët e tij. Artistët e tjerë, që janë veçuar në këtë renditje janë: “Plastic Effects” nga Brodie Neill (Australi), “Ulo” nga Gozi Ochonogor, Shola Orekoya and Folakunle Oshun (Nigeria), “Water Machine” nga Basma dhe Noura Bouzo (Arabi Saudite), “A Journey Around the Neighbourhood Globe” nga Yasuhiro Suzuki (Japoni).



















