KreuStil Jetese

Aromë suksesi: Parfumet e preferuar të personazheve të famshëm shqiptarë

| nga Andri Xhahu

Parfumi, ashtu si veshja dhe sjellja, flet shumë për ne… nga gjendja shpirtërore e deri në atë që përfaqësojmë. Si një produkt tepër personal, parfumi përmes një sprucoje thotë shumë por edhe provokon po kaq shumë. E njëjta gjë ndodh edhe me personazhet e njohur. Jeta e tyre plot angazhime, ngjarje, vanitet dhe famë, padyshim që e ka një aromë. I shohim në ekran apo kopertina revistash dhe kurioziteti shkon përtej asaj që shihet. E dini si qe shprehur dikur Marilyn Monroe kur e pyetën se çfarë vishte kur shtrihej për të fjetur? Vetëm disa pika nga parfumi i saj i preferuar “Chanel No. 5”. Me kohën u mësua se një tjetër parfum i pëlqyer ishte dhe “Floris Rose Geranium”. Po personazhet në vendin tonë, çfarë arome preferojnë? Orientale, ekzotike, me bazë lulesh ose frutash, romantike dhe seksi, mësoni për parfumet e pëlqyer të VIP-ave shqiptarë. Nëse dëshironi të ndiheni të famshëm, mund të zgjidhni mes fragrancave të preferuar të yjeve tanë.

Jonida Maliqi – “Orchid Soleil” nga Tom Ford

Jonida Maliqi është një nga artistet me imazhin më të kuruar në vend, plot stil dhe shije edhe kur duhet të zgjedhë parfumet. Prej 10 vitesh, Jonida preferon fragrancat e Tom Ford-it, që nga “Black Orchid”, “White Patchouli”, “Velvet Orchid” dhe së fundi parfumin e 2016-ës “Orchid Soleil”. Këngëtarja tregon se preferon parfumet e stilistit amerikan sepse i përshtaten më së miri lëkurës dhe aromës personale të saj. Si njohëse e mirë e tyre, Jonida shprehet se një parfum qëndron në lëkurë në varësi të pigmentit dhe se kryesisht Tom Ford-i i rri mirë bruneve.

Armina Mevlani – “Baiser Vole” nga Cartier

Buzët janë një tipar identifikues për Armina Mevlanin. Ky detaj shpesh është i pranishëm në veshjet dhe aksesorët e blogeres së modës. Madje edhe parfumi i saj i preferuar prej katër vitesh është “Baiser vole”, (puthja fluturuese). Armina preferon aromat sensuale dhe me nota vaniljeje siç është ky parfum i sofistikuar dhe pasionant i Cartier-it.

Evi Reçi – “Black Orchid” nga Tom Ford

Aroma e parfumit “Black Orchid” është aq identifikues si vetë arti i këngëtares Evi Reçi. Prej një viti, Evi preferon këtë fragrancë të pasur, sa klasike aq edhe moderne me përbërje paçuli, çokollate të errët, vetiveri dhe balsami. Megjithatë këngëtarja ndan të përditshmen edhe me aromën e parfumit “Coco Noir” të Chanel-it.

Julka – “Gucci Premiere” nga Gucci

Këngëtarja dhe prezantuesja radiofonike, Julka, i ndryshon parfumet çdo herë dhe kohëve të fundit i preferuari i saj është “Gucci Premiere”, fragranca e frymëzuar nga shkëlqimi i pakohë i ikonave të Hollywood-it. Por zgjedhja e parfumeve për Julkën është e veçantë. Ka filluar që t’ja lërë në dorë zgjedhjen partnerit pasi është kurioze të nuhasë se çfarë do të zgjidhte ai për të. Dhe Julka pranon se Andi gjithmonë ja ka dalë.

Rosela Gjylbegu – “Agent Provocateur” nga Agent Provocateur

Në artin e saj, Rosela preferon të jetë e sigurtë, larg ndryshimeve ekstreme, duke krijuar një profil të qëndrueshëm. Edhe në zgjedhjen e parfumeve, këngëtarja Gjylbegu preferon të mbajë gjatë një aromë. Dhe pas tre apo katër vitesh vjen koha e ndryshimit. Momentalisht këngëtarja është mes aromës së fragrancave “Agent Provocateur” dhe “White Patchouli”. Për një kohë të gjatë, Rosela ka preferuar edhe parfumin “Love” të Chloe-së.

Samanta Karavella – “Decadence” nga Marc Jacobs

“Decadence” është një fragrancë me shumë karakter, ashtu si dhe këngëtarja Samanta Karavella, e cila ka ndërtuar një profil serioz në muzikë. Aroma elegante e Marc Jacobs vjen si një buqetë trëndafilash bullgarë dhe zambakësh në një flakon që evokon “talismanin personal” të stilistit që është çanta e gjelbër, simbol i stilit klasik.

Soni Malaj – “La Panthere” – nga Cartier

Prej një viti, aroma e preferuar e këngëtares Soni Malaj është “La Panthere”. Fragranca identifikuese i dedikohet gruas së pavarur, të bukur dhe rebele si artistja energjike në skenë dhe sensuale në jetë.

Arlinda Dudaj – “Portrait of a Lady” nga Frederic Malle

Botuesja e mirënjohur Arlinda Dudaj edhe kur vjen puna te aromat, zgjedhja e saj është “Portrait of a lady”, një parfum si një libër. Preferon aromat jo të zakonshme, si ky parfum i Frederic Malle. Kompozimi i Dominique Ropion është i duhuri për shijen e Arlindës, e cila pëlqen aromat me bazë druri, disi maskuline.

Era Rusi – “Pure Poison” nga Dior

Siç janë sytë dhe vokali i këngëtares Era Rusi, ashtu është dhe zgjedhja e parfumit. “Pure Posion”, një aromë hipnotizuese, receta e së cilës përmban jasemin, dru sandal dhe qelibar. Kjo fragrancë e Dior-it është sa dehëse aq edhe sensuale.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF