KreuCelebrity

Intervista/ Eranda Shuaipi: Puna me të cilën merrem, nuk ka datë skadence

Ajo është kampione në bodybuilding, por edhe një trajnere mjaft e zonja.

Eranda Shuaipi është një ndër sportistet që nuk i bën asnjëherë “skip” stërvitjes në palestër. Është e zonja në sportin që ushtron, por edhe në jetë… Një nënë e përkushtuar, bashkëshorte e denjë, gjithashtu një amvisë e shkëlqyer.

Në një intervistë për BORDO, ajo tregon për ato gjëra me të cilat po merret aktualisht. Ka vendosur të jetë një “mësuese” për të gjitha vajzat që dëshirojnë të kenë trupin e saj, dhe vetëm pak kohë më parë, njëra prej tyre u shpall kampione në kategorinë që përfaqësonte. A është e lehtë për Erandën t’i japë hapësirë në terrenin e saj këtyre vajzave? Por edhe përkushtimi ndaj familjes, fundjavat dhe udhëtimet, si ia del t’i bëjë të gjitha… Vetëm në një intervistë!

Kampione, por edhe trajnere tashmë. A është e lehtë që njohuritë e tua lidhur me këtë sport t’ia japësh edhe vajzave të tjera?

T’ia jap njohuritë e mia dikujt tjetër nuk është e lehtë, pasi ato janë frut i shumë studimeve, por edhe i eksperiencës në këto vite, por t’i përdor njohuritë e mia për të ndihmuar vajza të tjera të bëhen si unë, kjo nuk është aspak e vështirë.

Shpërblimi që merr kur shikon suksesin e “nxënëseve” të tua?

Është si një artist që sheh veprën e tij pasi e ka përfunduar! Është kënaqësia e të dhuruarit! Kënaqësia e të bërit dikë të lumtur!

A ka diçka që do ta zëvendësoje me stërvitjen dhe këtë sport?

Për momentin nuk ka. Ky është hobi im dhe pasioni im më i madh i kohës së lirë për momentin dhe nuk e di për sa kohë, por ndoshta një ditë do ta zëvendësoj me diçka, me telenovelat për shembull .. (Qesh) Bëj shaka sigurisht.

Deri kur mendon se do të vazhdosh të merresh me këtë sport?

Kjo që bëj unë është kulturë fizike! Unë merrem me sportin e ndërtimit dhe mbajtjes së një trupi gjithmonë në formë, kjo është mënyrë të jetuari, të menduari, të sjelluri, e si e tillë nuk ka një skadencë. Mendoj që gjithë jetën time do merrrem me të. Sigurisht jo në nivel agonistik, pra nuk do marr pjesë në gara gjithë jetën, por do kujdesem për trupi tim gjithë jetën.

Padyshim që je edhe një amvisë e mirë… Kjo kuptohet nga linjat e tua…

E kam kuptuar shumë vonë që isha një amvisë kaq e mirë, im shoq shpesh me humor më thotë: “Je një femër për tu mbajtur gjithë kohën në kuzhinë.” Ka qenë pikërisht nevoja për tu ushqyer shëndetshëm që më ka vendosur përpara tenxhereve e tiganëve, e duhet ta them që jam e zonja aty. 

Një sportiste e zonja dhe nënë e përkushtuar. Kujt i kushton përparësi në jetë?

I jap përparësi çdo gjëje që më bën mua dhe njerëzit që dua të lumtur. Siç thoshte Jon Lenon: “Unë kur të rritem dua të jem i lumtur.”

Të pëlqejnë udhëtimet? Udhëton shpesh?

Po, udhëtoj shumë shpesh, për punë kryesisht, marr pjesë nëpër panaire në të gjithë botën, për gara e kompeticione fitnessi, ku edhe kur nuk garoj jam e ftuar si pjesëtare jurie ose e ftuar nderi nga miq, organizatorë e njerëz që më vlerësojnë.

Sigurisht udhëtoj shpesh edhe për të pushuar apo argëtuar. Më pëlqen të eksploroj vende të reja, të njoh kultura të ndryshme, njerëz të ndryshëm. Pra në përgjithësi më pëlqen. Por ndodh ndonjëherë që udhëtimi nuk shkon siç duhet e ndodhin gjëra që të bëjnë të mendosh me vete: “Më mirë të kisha qëndruar në shtëpi”. Sepse në fund të fundit, nuk ka si shtëpia jote!

Kush është aktiviteti i preferuar në fundjavë?

Një film 3D në kinema me tim bir. E kemi bërë zakon tashmë, një javë e zgjedh ai filmin, e mua më takon të shoh filma të animuar, por nuk më vjen keq aspak, dhe një javë e zgjedh unë duke u munduar t’i edukoj pak edhe shijet e një 11-vjeçari për artin në përgjithesi e filmin në veçanti.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF