Data 9 maj njihet ndryshe si Dita e Europës, duke bërë kështu që shumë nga aktivistët politikanë dhe jo vetëm, të dedikojnë diçka të shkruar enkas për të. Një nga politikanët shqiptarë, të cilët morën pak minuta nga koha e tyrë, për një status të këtij lloji në Facebook, ishte deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu, e cila më tepër se një urim, bëri një thirrje ndërgjegjësuese për ne si popull, në raport me Europën. Duke vënë në dukje pozicionimin tonë në kontinentin mëmë, duke bërë të mos harrojmë se mënyra së jashtmi e të jetuarit të një shqiptari është krejtësisht e një stili europian, duke na kujtuar se shqiptarë ka kudo, në çdo vend, jashtë rajonit tonë, Bregu shprehet se pavarësisht këtyre, ky 9 maj na gjen ende larg të pasurit një status politik europian. “Kam menduar gjatë këto kohë mjegulle të mendimit politik se ne kemi një nevojë urgjente për të rindërtuar Europën brenda secilit prej nesh.”, thotë deputetja, duke plotësuar se ajo çka është më e rëndësishme për ne (dhe jo vetëm) është shpresa, dhe si e tillë nuk duhet vrarë, as humbur, as nëpërkëmbur. “Ne na duhet veç shpresë!…Shpresa është ajo që bashkon Europën sot. Shpresa të bën të kapesh pas të ardhmes dhe jo të mbahesh pas së shkuarës!”, janë këto fjalët e Majlinda Bregut, e cila jep një urim shumë të veçantë e të gjatë për një datë të shënjuar si kjo, që shpalos shumë emocion e jep kurajo për të gjithë ne. Ndoshta, kjo është ajo çka na duhet nga politikanët tanë, që të kemi mundësine që jo çdo gjë ta shohim bardh e zi.



















