Nga Aristea Kola
Jerida Sakaj është një personazh i veçantë që ra në sy që në herët e para kur prezantonte emisionin radiofonik ‘Klubi i mëngjesit’ në Club Fm. Moderatorja njihet për ndryshimet e vazhdueshme e të guximshme në look, si dhe për mënyrën e të veshurit me një stil unik, gjithmonë ndryshe, por trendy! Ky tipar i saj për të qenë ndryshe është i adhurueshëm për kohën ku jetojmë ku të gjithë tentojnë të jenë copy-paste të turmës. Është si një kameleon që dashuron ngjyrat dhe ka eksperimentuar me të gjitha ngjyrat e ylberit në flokë. Prej disa kohësh Jerida realizon piktura unike në veshje, nuk hedh asgjë por i riciklon ato. Nga të papërdorshme, me prekjen e penelave të saj harmonikë dhe bojërave të tekstilit veshjet bëhen plot ngjyra e të gjalla. Ky pasion i saji, mban emrin ‘Jerart Handmade’.
Në këtë intervistë për Bordo.al Jerida Sakaj, një vajzë më shumë shije, na rrëfen pasionin për radion e artet si kurrë më parë. Fillimin e një rrugëtimi si ‘Jerart Handmade’ që ndoshta shumë shpejt do të gjejë mbështetjen për t’u shndërruar në një brand të mirëfilltë, si dhe një ëndërr ende të parealizuar…
Si nis dita juaj? Cila është gjëja e parë që bën sa hap sytë në mëngjes?
Në fakt dita ime nis shumë heret, në orën 5 të mëngjesit. Gjëja e parë që bëj sa hap sytë është: përqafime me macet e mia Bebekën dhe Bekin.
Çfarë kënaqësie të jep radio? A e keni pasur të vështirë fillimisht të përshtateshit me orarin e programit?
Për mua radio është dashuri. Mbushur plot magji, emocione dhe mister në të njëjtën kohë. Të komunikosh çdo ditë për dhe me njerëzit është një kënaqësi e jashtëzakonshme. Orari i hershëm nuk ka qenë asnjëherë problem për mua sepse gjithnjë kam fjetur pak dhe jam zgjuar herët.
Me kolegët bashkëprezantues në emision, Blendin, Oltën dhe Altinin vihet re një kimi mes jush, a jeni edhe miq të mirë? Po rivalë? Kaloni kohë me njëri-tjetrin edhe pas emisionit?
Ne po bëjmë gati nëntë vite që jemi bashkë dhe jemi bërë miq të mirë me njëri- tjetrin. Nuk e shohim njëri tjetrin si rivalë sepse secili prej nesh ka rolin e tij unik. Emisioni na ka bërë të jemi bashkë, të njihemi më mirë dhe patjetër që pas emisionit kalojmë kohë me njëri – tjetrin: jemi bërë një familje e vogël.
Ju jeni prezantuese tek ‘Klubi i mëngjesit’, jeni piktore, stiloni dhe pikturoni veshje handmade duke i bërë ato tepër unike. Gjithashtu pikturoni këpucë apo çanta të cilat nga të papërdorshme me prekjen e penelave tuaj bëhen të reja. Keni studiuar fizikë. Si do ta përkufizonit profesionin tuaj ideal? Ku e gjen veten më mirë?
Unë e ushtroj profesionin ideal: Radio. Fizika më ka vënë mendjen gjithnjë në punë ndërkohë që piktura është pasion që e kam zbuluar vonë por besoj që do të më shoqërojë përgjatë gjithë jetës.
Arti është një pasion për ju, apo e shihni edhe si një profesion? Cila është rryma juaj e preferuar në pikturë?
Absolutisht që është pasion por që lehtë mund të kthehet në profesion. Ka shumë njerëz që janë dashamirës të artit kështu që për mua tani është bërë edhe si një formë “profesioni”. Për sa i përket rrymave në pikturë nuk është se kam vetëm një. Më pëlqejnë të gjitha: çdo gjë është e bukur dhe sfidë për t’i provuar.
Si lindi idea e të pikturuarit të veshjeve? Çfarë materialesh përdor për to?
Idea lindi shumë thjesht: rrobat mos t’i hedhësh, por t’i riciklosh. Fillimisht nisi nga një palë këpucë ngjyrë rozë të cilat mi kishte blerë ime më dhe vendosa të eksperimentoj duke i pikturuar. Pas pikturimit të tyre fillova të pikturoj çanta, bluza e veshje të tjera por ende nuk kisha provuar në telajo. Mikja ime më e mirë, e cila është piktore, më inkurajoi të provoja edhe në telajo. Ishte magji e vërtetë. Që prej asaj dite, gati gjashtë vite më parë, nuk kam lënë gjë pa pikturuar, edhe muret e shtëpisë. Për të pikturuar veshjet përdor bojërat e tekstilit ndërkohë që në telajo përdor bojërat e vajit dhe hera- herës akrilikun.
Në veshjet tuaja kemi parë ngjyra të gjalla, portretin e Kahlo, Bowie, Pink Panther, Tom&Jerry, Mickey Mouse, etj. Cili do të jetë personazhi i radhës? Po merreni me krijimin e diçkaje të veçantë tani?
Në fakt mundohem të punoj çdo ditë. Puna që mbarova dje është në rrymën e pop-artit e frymëzuar nga artisti Keith Haring, ndërkohë që sot do të merrem me pikturimin e një fundi dhe do të pikturoj kuaj.
Si ka ndikuar ekspozimi i punimeve tuaja artistike në rrjetet sociale? Çfarë është fotografia për ju dhe a keni pasur kërkesa nga ndjekësit për porosi?
Rrjetet sociale kanë ndikuar pozitivisht. Unë nuk kam një butik ku të ekspozoj veshjet e mia, por butiku online është i jashtëzakonshëm dhe krijon kontakt të menjëhershëm me shumë njerëz që dëshirojnë të kenë veshje të veçanta. Ata më shkruajnë dhe sjellin veshjet e tyre për t’i dhënë një pamje të re, të bukur e të veçantë. Ka edhe një kategori njerëzish, edhe pse më të pakët, që dëshirojnë të porosisin veshjet që unë ekspozoj në Instagram apo Facebook. Fotografia është momenti që ti kap dhe më pas e ndan me të gjithë. Pa të nuk do mund t’i ndanim krijimet me të tjerët.
Pak kohë më parë ju i ekspozuat veshjet tuaja handmade në një sfilatë argëtuese, si dhe te ‘Reja’ e Fujimotos pranë Galerisë së Arteve. Cili ishte impakti i publikut për punën tuaj artistike?
Komentet ishin pozitive. Të paktën të gjithë që patën mundësi ta ndiqnin më thanë fjalë të mira, madje disa prej tyre i “rrëmbyen” veshjet pas sfilatës.
Mendon se një ditë mund të kesh Brand-in tënd të veshjeve këtu në Shqipëri? Si të duken të rinjtë e kryeqytetit, a dinë të ndjekin modën? Po stili juaj më i dashur i të veshurit cili është? Veshja që mbizotëron në garderobën tuaj është…?
Jam në fillim të kësaj rruge të gjatë. Jerart handemade ka nisur rrugëtimin dhe uroj që çdo gjë të eci hap pas hapi mirë. Mendoj që sot të rinjtë dinë të vishen e të ndjekin modën sepse kanë informimin e duhur falë teknologjisë. Mendoj që të gjithë, edhe me pak para mund të vishen bukur nëse kanë shije. Stili im?! Unë kam një shprehje: “Nuk është e bukur ajo që është e bukur, por është e bukur ajo që më pëlqën dhe më bën të ndihem mirë”. Veshja që mbizotëron në garderobën time: Të gjitha veshjet janë të pikturuara, kam një koleksion modest e në rritje të çantave me forma të veçanta dhe shumë bizhuteri handemade.
Sa kujdesesh për pamjen e jashtme? A ke një ngjyrë apo model të preferuar për sa përket flokëve të tua? Po ndonjë ngjyrë që nuk e keni eksperimentuar në flokë ka?
Gjyshja ime thotë një shprehje: “Bukuria s’ është veç prej fisi, lum kush di ta kullundrisi”, kështu që kujdesi për veten është i përditshëm dhe i domosdoshëm. Aktualisht më pëlqen ngjyra dhe modeli i flokëve që kam, por kjo nuk do të thotë që nesër mos ta ndryshoj sërish Përsa i përket ngjyrave i kam provuar të gjitha, kështu që nuk kam asnjë merak.
Vera 2017-të punë apo argëtim për ju? Si preferoni të argëtoheni apo të kaloni kohën e lirë?
Edhe punë edhe argëtim. Në kohën e lirë pikturoj, dëgjoj muzikë, lexoj dhe ndaj kohë me miqtë e mi më të mirë.
A i keni planifikuar pushimet? Më mirë në det apo në mal? Dhe me kë? Po një libër që do marrësh me vete?
Pushimet ende nuk i kam planifikuar përfundimisht, por është e sigurt që do të jetë më shumë det edhe më pak mal. Me kë? Një pjesë me miqtë dhe një pjesë me familjen. Përsa i përket librit, në fakt marr më shumë se një. E sigurt që e para në listë për këtë verë do të jetë “Mbiemri i ri” nga Elena Ferrante.
A i bie rruga dashurisë nga ju? Beson te dashuria me shikim të parë? Si duhet të jetë mashkulli në krah të Jerit? Cila ka qenë çmenduria më e madhe që keni bërë për dashuri?
Dashuria dhe unë jemi duke u endur nëpër rrugë por ende nuk jemi hasur. Shikimi i parë është tërheqje. Shikimi i dytë është njohje dhe pas shumë e shumë shikimesh vjen dashuria. Përsa i takon mashkullit përkrah meje, nuk është se kam një etalon matës, por duhet patjetër të ketë humor e mençuri. Çmenduria më e madhe që kam bërë për dashuri? Dashuria është çmenduria më e bukur.
Cila është dhurata më e bukur që ke bërë/marrë së fundmi? Po mbrëmja më e bukur që ke kaluar?
Të gjitha dhuratat janë të bukura e plot përkujdesje e mendim. Besoj dhurata më e bukur që kam bërë së fundimi është një ndër pikturat e mia, ndërkohë dhurata më e bukur që kam marrë së fundmi janë disa libra e një set me bojëra e penela për të pikturuar. Për mua të gjitha mbrëmjet janë të bukura e të veçanta nga njëra- tjetra. Nuk dua të veçoj asnjërën prej tyre sepse të gjitha më kanë falur emocione të ndryshme.
A ka një pyetje që ia bën shpesh vetes? Po thashethemi më i madh që ke dëgjuar për veten cili është?
Njeriu është qenie komplekse. Në varësi të ndjenjave, emocioneve e të papriturave që dita sjell, kështu që mund të lindin mijëra pyetje por një në veçanti që t’ia bëj vetes nuk kam. Përsa i përket thashethemeve, qëndrojmë në rrugë të kundërta. Nuk më interesojnë as për të tjerët dhe as të di për veten. Gjithësecili të sheh dhe flet për ty ashtu siç vetë ata janë. Kështu që thashethemet kanë si bazë mosnjohjen dhe mosdashjen për të njohur tjetrin. Ata që thashethemnosen merren me dukjen, jo me brendinë.
A keni një ëndërr të parealizuar deri tani?
Në të vërtetë kam disa. Njëra prej tyre është që të mësoj një vegël muzikore, baterinë!









Olta jep mësim si të sillesh me fansat!



Burg për Ornela Mutin

Kush e sfidoi reperin Jay-Z?






