Dy motra me një stil lidershipi krejt ndryshe nga njëra tjetra, që takohen lehtësisht në faktin se janë ambicioze dhe të pandalura për të përfunduar me sukses çdo iniciativë.
Dy motra, të dyja të shkolluara jashtë vendit, të zgjuara e shumë ambicioze, duket se rrugëtimi i tyre nën moton “gjithnjë bashkë” vazhdon ende në ditët e sotme, ku secila prej tyre gëzon një post drejtues në bizneset e familjes. Dy bukuroshet, Efi dhe Kristina Neranxi, përtej elegancës dhe natyrës së dashur, nuk janë shembulli tipik i vajzave të përkëdhelura, që fati i ka qëlluar të lindin në një familje të pasur, ku prindërit kanë investuar në biznese të njohura në vend. Përkundrazi, Efi dhe Kristina janë shumë larg steriotipit “vajzat e babit”. Motrat e pandashme, gëzojnë një raport shumë të mirë me njëra-tjetrën, madje janë edhe bashkëpunëtore shumë të mira në bizneset e familjes. Pas përfundimit të studimeve jashtë vendit, Kristina dhe Efi, prej tre vitesh janë pjesë e bizneseve të familjes, duke gëzuar një reputacion dhe admirim nga stafi dhe bashkëpuntorët. Që në fëmijëri Kristina dhe Efi, kanë qenë të përfshira në biznesin e familjes. Ato kujtojnë me nostalgji kohën kur prindërit i merrnin me vete në panaire ndërkombëtare. Ishin 11 vjeç kur patën kontaktin e parë me botën e biznesit. Edhe sot e kësaj dite, motrat nuk mungojnë asnjëherë në panairet brenda dhe jashtë vendi. Që pas përfundimit të studimeve, pjesa më e madhe e ditës kërkon angazhim dhe vëmendje, duke e bërë punën e tyre më të larmishme.
Një ditë e zakonshme e tyre nis me një mbledhje me stafin ose takim me furnitorët e huaj, të cilët vijnë shpesh në Shqipëri. Paraditja është pothuajse gjithnjë në kompani me takime të ndryshme dhe mbikqyrjen e sektorëve si: shkolla e kulinarisë, sektori i shitjeve etj. Pasdite, nëse janë konsumuar të gjitha takimet, vajzat zhvendosen në ambientet e pastiçeri-Restorant Divina, një tjetër aktivitet që motrat Neranxi zotërojnë në zonën e ish-bllokut.
Kristina dhe Efi, kanë kaluar një kohë të gjatë jashtë vendit, ku u shkolluan dhe specializuan në fusha të rëndësishme për biznesin që drejtojnë sot. Kristina ka jetuar për plot tre vite në Pekin, ku përveç studimeve për Diplomaci Ndërkombëtare ka frekuentuar edhe një kurs gjuhe(kineze), gjë që e ka integruar më shumë në kulturën e saj. Duke qenë se Kina ka një ekonomi shumë të zhvilluar, Kristina tregon se përshtatja me tregun shqiptar ishte disi sfiduese, sepse Shqipëria ka ende vështirësi për sa i përket burimeve njërëzore. Efi, pas studimeve shumë vjeçare në New York, ku kultura e punës, e tregut dhe konsumatorit janë shumë të zhvilluara, përshtatja me tregun ka qenë relativisht e vështirë duke qenë se në vendin tonë jemi akoma në procesin e zhvillimit të tregut. Përveç edukimit në fushat përkatëse, vajzat kanë qenë të bekuara me mundësinë për të shijuar çdo gjë nga shtetet që kanë vizituar. Shumë të dashuruara pas udhëtimeve, ato tregojnë se secili vend ka patur bukurinë dhe benefitet e veta. Si vendin më mbresëlënës, kujtojnë Firencen, ku kanë kryer gjimnazin, sepse përveç nivelit shumë të lartë të mësimdhënies, ai qytet është magjepsës, me një kulturë dhe art që vështirë mos të dashurohesh! Që në fëmijëri, të mësuara me një edukatë pune dhe në kontakt me botën e biznesit, Kristina dhe Efi ia kanë dalë mbanë të jenë në krye të sektorëve me të rëndësishëm në kompani. Ato tregojnë se nuk ishte diçka e propozuar nga prindërit, por sipas nevojave dhe kërkesave që kishte kopmania dhe shkollimit përkatës, vendosëm që secila të drejtonte këto sektore. Duke qenë se Efi ka studiuar për një kohë të gjatë në New York, meret me menaxhimin e përgjithshëm të biznesit, si dhe të gjithë sektorëve. Kristina, nga ana tjetër, meret kryesisht me marketingun dhe shitjet, pasi dhe studimet i ka kryer për këtë fushë.
Marrëdhënia me prindërit është shumë e ngushtë. Përveçse një familje, funksionojnë sëbashku si një grup pune ku çdo gjë diskutohet dhe arrihet në një përfundim unanim. Të dy motrat ndihen me fat, pasi prindërit i kanë edukuar me një kulturë pune ndërkombëtare por dhe me përqasje humanitare. Këshilla më e vyer që kanë marë nga prindërit ka qenë: “Të përballemi me çdo sfidë në jetë, pa u trembur nga situatat që mund të shfaqen, si dhe mos të tërhiqemi pa arritur objektivat tona, gjithnjë duke respektuar situatën dhe njerëzit që na rrethojnë.” Duke qenë se pozicionet e tyre në kompani, janë drejtuese, vajzat kanë në menaxhim shumë punonjës. Të qënit shefe për to është kënaqësi, por edhe përgjegjësi e madhe, pasi përveç menaxhimit të biznesit, një tjetër vështirësi është menaxhimi i burimeve njerëzore. Këtu gjërat thjeshtohen pak.
Ngjashmëria që kanë me njëra tjetrën, kur vjen momenti për të definuar rolet në drejtim, zbehet duke bërë gati një ndarje me thikë. Nën moton “menaxhimi i biznesit, nën formatin e lidershipit”, “shefe e mirë” është Kristina, kjo për shkak të natyrës më të shoqërueshme dhe me të qetë të saj, ndërsa Efi është “shefe e keqe”, duke qenë se është natyrë më kërkuese dhe perfeksioniste. Edhe pse të dyja i karakterizon një stil i ndryshëm lidershipi, ajo çka i bashkon motrat është të qenit ambicioze dhe të pandalura për të përfunduar me sukses çdo iniciativë. Aktiviteti tjetër, Pastiçeri, Restorant dhe Hotel Divina, është një sfidë më vete. Si çdo biznes në sektorin ushqimor dhe shërbimit, të vë përballë sfidave të përditshme, ku kryesorja është integrimi dhe përshtatja e koncepteve të huaja tek personeli i Divina-s. Konfliktet janë të zakonshme në drejtimin e një biznesi, sidomos, kur janë bashkëpuntore dy femra, por në rastin e motrave Neranxi, nuk ekzistojnë, përkundrazi, ato i marin gjithnjë mendim njëra-tjetrës. Gjithnjë kanë debate konstruktive, të rëndësishëm për mbarëvajtjen e punës. Të qënit bisneswoman, bukuroshe dhe shumë të dashura për njerëzit që i njohin, Kristina dhe Efi, janë aktive në rrjetet sociale, ku gëzojnë një numër të madh ndjekësish. Duke qenë se të dyja kanë studiuar jashtë Shqipërisë, rrjetet sociale i shikojnë si një mundësi për të komunikuar me miqtë në mbarë botën, por edhe si një formë komunikimi dhe njoftimi për bizneset e tyre.
Motrat Neranxi kanë zgjedhur që të jenë shumë diskrete në lidhje me jetën private. Ato shprehen se kanë dëshirë që vëmendja e njerëzve të përqëndrohet në arritjet profesionale dhe jo në jetën personale për të kërkuar vëmendje dhe popullaritet. Një nga gjërat më të rëndësishme që po ndodh në jetën e Kristinës, nuk kishte se si t’i shpëtonte vëmendjes se publikut së fundmi. Ajo ka postuar foto nga pritja e ëmbël. Kristina, vajza e vogël e familjes, prej disa muajsh është në pritje të fëmijës së saj të parë, ndjesi kjo emocionuese, të cilën vetë ajo e pret me shumë gëzim.
Kristina dhe Efi, ende nuk mendojnë se kanë arritur pikën kulminante në karrierën e tyre, pasi karakterizohen nga një ambicie dhe objektiva të mirëpërcaktuara për të ardhmen. Para gjashtë vitesh, vajzat ndërmorën hapin për të çelur një sipërmarje të tyren, Divina-n, si dhe para tre vitesh Hotel Restorant “Ammos” në Himarë. Këto dy sipërmarrje i bëjnë të ndihen krenare dhe të gëzohen me suksesin e tyre, një shtysë për të ecur përpara drejt iniciativave të reja sfiduese.
Botuar në revistën BORDO/Prill-Maj 2017