Nëse mendoni se zyra nuk është ambienti i duhur për të eksperimentuar me veshjen, gaboheni. Nuk po flasim për ekzagjerime apo ndonjë tejkalim norme, thjesht po ju kujtojmë se garderoba, jo rrallë herë, është çelësi i suksesit tuaj. Mund të keni krijuar idenë se copat e thjeshta e pa shkëlqim janë ideale për në punë, por ja që një vajzë plot stil kërkon diçka krejt ndryshe. Kështu, le t’ju kujtojmë se diku nëpër rrëmujën e dollapit, ju gjendet një material lëkure. Ose akoma dhe më mirë, mund të dispononi një palë gjysmë-sandale të po së njejtit lloj.
Mos gaboni t’i përdorni veshje të tilla vetëm kur dilni mbrëmjeve apo shkoni në ndonjë koncert rock-u. Natyrisht, veshur nga koka tek këmbët me lëkurë nuk është ndoshta dhe aq e përshatshme për në zyrë, por kjo nuk do të thotë që të mos vishni pantallonat apo fundin tuaj të preferuar, vetëm për shkak të materialit. Lëkura është gjithmonë e përshtatshme për ambientin e punës, mjafton të dini si ta kombinoni. E sa për këtë të fundit, ne ju ftojmë të shfletoni galerinë për disa nga sugjerimet më të mira, sidomos për vjeshtën e këtij viti.