KreuStil Jetese

Grimi perfekt për vajzat me sy të kaltër!

Çdo rast kërkon grimin e duhur: ka një make up për në zyrë, gjatë një aperitivi, një shëtitjeje apo një mbrëmjeje mondane. Ndonjëherë na ndodh që të gabojmë duke hequr dorë nga freskia e fytyrës e duke rënduar shikimin. Që të jeni të sigurta se nuk po gaboni me grimin e syve ju këshillojmë të provoni tonalitetet nude, në mënyrë që t’i shtoni shikimit vlerë dhe elegancë, për t’u dukur sa më natyrale. Për të arritur një rezultat të parezistueshëm, ju sugjerojmë të përdorni këto nuanca nude sipas ngjyrës së irisit të syrit. Vajza me sy të kaltër, zgjidhni nuancat e ngrohta të ngjyrave të mishit! Luani me ngjyrat dhe hijet! Ja sugjerimet që kemi për ju!

Ngjyrat e arta dhe të bronzta

Ky është një kombinim ideal i cili ju mundëson thellësinë në pjesën e syve. Nisni me një primer tek kapakët e syve, ju fikson më mirë grimin dhe bën të mundur që të zgjasë më tepër. Merrni paletën me nuancat e tokës dhe zgjidhni një tonalitet të bronztë dhe aplikojeni në cepin e syrit pranë kockës. Në pjesën tjetër aplikoni një nuancë të artë. Aplikoni një ton me ngjyrë kafe për të bërë sfumimin e nevojshëm për të shkrirë ngjyrat me njëra-tjetrën dhe në fund rimelin tek qerpikët e lartëm! Provojeni!

Ngjyrat bezhë dhe kafe

Ky kombinim krijon një kontrast mjaft të këndshëm në sytë e kaltër, pa i rënduar shumë e pa i fshehur siç mund të ndodhë me nuancat më të errëta. Sërish filloni me aplikimin e korrektorit, që tonet të përhapen mirë dhe të mbulojnë në mënyrë të njëtrajtshme sipërfaqen e kapakut të syrit. Aplikoni fillimisht një ngjyrë bezhë të hapur duke e rrethuar më pas një ton me ngjyrë kafe të ngrohtë. Kalojeni me kujdes duke e sfumuar për një pamje sa më natyrale. Aplikoni rimelin, preferohet me ngjyrë kafe dhe jo vetëm mbi qerpikët lart, por dhe në ato poshtë. Provojeni, do të vidhni vëmendje!

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF