Është ndarë nga jeta kompozitori Aleksandër Lalo, njohur edhe si Maestro Lalo i jurisë së spektaklit “C’est la Vie”, dhe lajmi është bërë i ditur pikërisht kur në TV Klan po transmetohej puntata e radhës e emisionit.
“C’est la vie” është ndërprerë nga gazetari Reis Çiço, i cili ka shprehur keqardhjen e televizionit mbi vdekjen e papritur të kompozitorit, dhe ka shpjeguar se vazhdimi i spektaklit “C’est la vie” do të ishte jo-etik.
Nga ana tjetër, moderatorja e spektaklit, Marina Vjollca, ka informuar në një postim në Instagram, pak minuta më parë, mbi vdekjen e kompozitorit nga një atak në zemër, dhe se ky emision dhe emisionet në vazhdim do të ishin homazh për Maestron e ndjerë.
Në postimin e saj, Marina Vjollca shkruan:
“Miq te dashur, me hidherim te thelle mesuam ndarjen nga jeta te Maestro Lalos pas nje ataku ne zemer.
Maestro i madh u nda nga jeta duke lene nje boshllek te madh tek une dhe i gjithe stafi i “C’est la vie”.
Ky emision dhe te tjeret ne vijim jane homazhi yne per njeriun e paperseritshem te muzikes shqiptare.
U prehte ne paqe!”
Disa fjalë mbi kompozitorin Aleksandër Lalo, jetën dhe veprat e tij:
Aleksandër Lalo lindi më 27 prill të vitit 1949, në Tiranë. Rrjedh nga një familje me origjinë nga Leskoviku.
Kreu studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve për muzikë, në 1973. Përveç veprimtarisë si kompozitor, ai ka dhënë një kontribut të madh në kinematografi si kompozitor i rreth 25 filmave artistike dhe disa filmave vizatimore. Lalo është edhe një nga kompozitorët më të njohur dhe të dashur të muzikës së lehtë.
Shumë këngë të tij ishin të dashura për rininë në kohën kur u kompozuan, por ato vazhdojnë me po atë sukses të rikëndohen edhe mbas shumë vitesh, nga këngëtarë të tjerë.
Disa nga veprat e kompozitorit të ndjerë janë:
Tingujt e harresës (1996) (TV)
Historiani dhe kameleoni (1989)
Treni niset më shtatë pa pesë (1988)
Dy herë mat (1986)
Fjalë pa fund (1986)
Asgjë nuk harrohet (1985)
Fushë e blertë fushë e kuqe (1984)
Era e ngrohtë e thellësive (1982) (TV)
Një vonesë e vogël (1982)
Shi në plazh (1982)
Shtëpia jonë e përbashkët (1981)
Thesari (1981)
Gëzhoja e vjetër (1980)
Nusja (1980)
Vajzat me kordele të kuqe (1978)
Tomka dhe shokët e tij (1977)
Dimri i fundit (1976)
Emblema e dikurshme (1976) (TV)
Duke kërkuar 5-orëshin (1974)
Odiseja e tifozëve (1972)
Të shoh në sy(1986)
Një gjeneral kapet rob (1980)