KreuBusull

Interneti çmendet pas kësaj unaze fejese… por a ia vlen?

Për një nuse të ardhshme, apo thjesht për vajza që ëndërrojnë më shumë seç duhet për ditën kur do të vënë kurorë, nuk ka website më të mirë se sa faqja Pinterest, për të kuptuar se çfarë duan dhe nuk duan për dasmën e tyre të ardhshme.

Në Pinterest i gjen të gjitha, në fund të fundit: fustane nusërie, këpucë, vello, dekor tavoline… por mbi të gjitha, yllin e festës, unaza me të cilën nis gjithçka.

 

Ka aq shumë unaza fejese, sa sa më shumë të shohësh, aq më tepër dyjëzohesh. Gur klasik apo prerje kontemporane? Argjend, flori i bardhë apo flori rose? Diamantë të vegjël në anë, apo një gur masiv mjafton?

Mbase nuset e këtij viti e kanë kuptuar që është e kotë ta bombardosh veten me këto pyetje, ndaj kanë gjetur një rrugë të shkurtër: Kanë zgjedhur unazën më të thjeshtë të mundshme, duke harruar çdo unazë të zgjedhur vitet e kaluara.

Unaza që shihni në foto është bërë “pinned” nga 103.900 veta, sipas “Daily Mail”. Ajo është prej ari në ngjyrë trëndafili dhe ka vetëm një diamant 1.22 karat me prerje rrethore. Një rreth Art Deco prej të njëjtit material shoqëron unazën.

Sipas fjalëve, unaza i përket nuses së quajtur Sylvia Billone dhe është unazë e bërë me porosi. Nuk ka dalë asnjë informacion mbi çmimin, por s’mund të thuhet që ka qenë unazë e lirë, sado e thjeshtë që është.

 

Dhe meqë jemi te thjeshtësia, jeni dakord me zgjedhjen e internetit për këtë vit? Duhet përmendur këtu edhe zgjedhja e vitit të kaluar, goxha e ndryshme në model nga unaza e këtij viti. “Luksoze”, do të ishte fjala e duhur për ta përshkruar.

Unaza quhet unazë Verragio dhe është e dallueshme nga punimet e saj në rreth, bashkë me diamantin kryesor dhe gurët rrethues të saj.

Si thjeshtësia, ashtu edhe detajet kanë bukurinë e tyre, por mbase një unazë e papërsëritshme do të ishte më mirë për një nuse. Një herë martohet njeriu, në fund të fundit!

 

Megjithatë, secila nuse ka shijen e saj vetjake. Nga cila unazë ju anon zemra më tepër?

Mos harroni, është një unazë që mbahet tërë jetën (ashtu si partneri!) ndaj duhet zgjedhur me mendje dhe zemër të bindur plotësisht!

Tags:

Home Busull

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF