KreuBusull

INTERVISTË/Kozeta Kurti: “15 këngëtare shqiptare, për një natë!”

Sara Gurabardhi

Ju kujtohet viti i kaluar, kur Kozeta Kurti na ktheu pas në vitet ’90, vetëm me repertorin e muzikës shqiptare? Epo, tani përgatituni të udhëtoni edhe më shumë në kohë, për të ridëgjuar këngët e paharruara të Anita Bitrit apo Vaçe Zelës, në një natë të vetme! E shtuna e 11 nëntorit do t’ju mbushë plot emocion, e do t’ju ushqejë shpirtin, ose të paktën kështu premton Kozeta në këtë intervistë ekskluzive për bordo.al. Pesëmbëdhjetë këngëtare shqiptare do të risillen në qendër të vëmendjes me këngët e tyre hite, për një event ndryshe nga të tjerët. Duke i besuar Gjergj Kaçinarit për orkestrimet,  Kurti pret vetëm diçka nga ky organizim: shkëlqimin në sytë e publikut. Çdo detaj të mëtejshëm, do ta gjeni në intervistën e mëposhtme.

 

Si lindi idea për t’u zhvendosur edhe më tej në kohë me anë të muzikës?

Nuk e mohoj që reagimi  i publikut vitin e kaluar me “Albanian Pop Rock 90’s”, ishte nxitja kryesore për të ndezur motorët për një event tjetër! Madje po planifikoj “Albanian Pop Rock Duets”, por duhet të presim 2019-ën, sepse në 2018-ën do eksperimentoj pak me teatrin. (Qesh)

Çfarë duhet të presë publiku nga eventi i 11 nëntorit? 

Është bërë çdo përpjekje për një natë plot emocion, udhëtim në kohë e kujtime…pra, ushqim shpirti!

A e sheh këtë organizim si ‘mundësinë e artë’ për të informuar më shumë të rinjtë lidhur me muzikën e atyre viteve?

Nuk besoj se mungon informacioni. Kush nuk e merr, thjesht nuk do, jo se nuk ka ku ta gjejë! Por nëse ky koncert shërben edhe për këtë motiv, do isha e lumtur!

Përpos periudhës, a ka një tjetër kriter në bazë të së cilit janë përzgjedhur këngët?

Janë zgjedhur këngë hite, ato që kanë ndikuar tek publiku. Nuk ka performues të rinj! Eneda Tarifa apo Era Rusi, apo vajzat e tjera, nuk  janë performuese të reja. Thjesht ato kanë pranuar me dashuri ftesën për të kënduar materiale të këngëtareve që nuk jetojnë më si Vaçe Zela për shembull, apo të atyre që nuk janë në skenë për motive e zgjedhje personale.

A e sheh këtë rikthim pas në kohë edhe në një kontekst historik, një ballafaqim me të kaluarën dhe artin e krijuar në atë periudhë?

Do ta kisha parë si të tillë, nëse do të ruaja detaje nga e kaluara, si veshjet, qëndrimi apo skenografia. Por nuk është ky qëllimi im! Përkundrazi, unë kam kërkuar të jetë siç ato kanë dashur të ishte, por nuk mundnin!

Rikthehesh në bashkëpunim me Gjergj Kaçinarin. Duket se për projektin punohet me po aq pasion dhe nga ana e tij, apo jo?

Gjergji është gjysma ime më e mirë kur vjen puna tek projektet me kryefjalë muzikën. Me njeh shijet, përkushtimin, miqësinë, ndaj dhe reflekton po aq dashuri sa unë. Unë nuk i kam parë këto evente si projekte personale, por si ngjarje muzikore, të cilat duhet t’i duash! Jam e bindur që të gjithë emrat që i janë përgjigjur ftesës sime, janë udhëhequr veç nga dashuria.

Çfarë pret Kozeta nga ky event?

As më shumë, as më pak, por shkëlqim në sytë e tyre që do e ndjekin në sallë dhe atyre që do e shohin më vonë në ekran.

Tags:

Home Dossier

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF