Mësohet se ujërat e Shatërvanit të Trevit në Romë u kthyen në ngjyrë të kuqe, duke habitur, e madje edhe trembur turistët e shumtë rreth tij. Arsyeja nuk ishte Halloween-i, dhe as ndonjë mrekulli si ajo e Moisiut.
Ishte aktivisti Graziano Cecchini ai që ngjeu në të kuqe ujërat e shatërvanit, në shenjë proteste ndaj korrupsionit të tejhapur në Itali. Është hera e dytë brenda 10 vitesh që Cecchini e bën diçka të tillë, si një thirrje që “Romës i rrjedh ende gjak ndër vena, dhe është gati për të qenë sërish qendra e artit dhe Rilindjes”.
Të tilla protesta të ngjashme kanë ndodhur edhe në vende të tjera të botës, dhe pikat e zgjedhura për të protestuar janë mjaft strategjike.
Pak javë më parë, aktivistë të lëvizjes kundër vrasjes së balenave në Kopenhagen, Danimarkë, ngjyen po në ngjyrë të kuqe statujën e famshme të Sirenës së Vogël. E gjetur, po të mendojmë që Sirena është krijesë e botës ujore.
Po ashtu, këtë pranverë, organizata Greenpeace vari një banderolë që lexonte “Liri, barazi, vëllazëri” në Kullën Eiffel, si shenjë proteste ndaj kandidatit konservativ presidencial, Marine Le Pen.
Protestat e marrin vëmendjen e dëshiruar, por çfarë ndodh pasi zhurma bie? Shatërvani i Trevit u boshatis menjëherë për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm, dhe veprimi i Cecchini-t u dënua si akt injorance, tërësisht i panevojshëm.