Nga Sara Gurabardhi
Ku mbeti Trump? Kur ishte hera e fundit që keni lexuar për familjen presidenciale amerikane? Le ta pranojmë, lexuam shumë për Trump, Ivanka-n, Melania-n,ndërsa tani, heshtje totale. Duket sikur Presidenti nuk ekziston aspak, e jo për faj të tij. Krejt papritur, ashtu si nga asgjëja, disa nga aktoret e kategorisë A ishin në një mendje: të nxirrnin të palarat e Weinstein!
Si për të mos mjaftuar kjo, media e shkruar u mbush me deklarata të të tjera artisteve, që kishin shumë për të thënë jo vetëm për Harvey-n, por për qindra rasti në industrinë hollivudiane. Dhe po, situata ishte vërtetë shqetësuese, edhe pse u ndje një farë abuzimi që në fillimet e kësaj çështje. Megjithatë, nuk është ky rasti për akuza apo kritika, pasi emra të njohur në fushën e regjisorëve dolën për të thënë se kishin dëgjuar fjalë të tilla të qarkullonin për Harvey-n. Kaq u desh. Me deklaratën e Woody Allen, revista si ‘Elle’ apo ‘Marie Claire’ iu rikthyen bindshëm të kaluarës, për të drejtuar gishtin nga regjisori, i cili është martuar me vajzën e adoptuar të ish-gruas së tij. Edhe pse një udhëtim i panevojshëm në ’90-tën jo fort të afërt, emrat e lartpërmendur ia dolën të hapnin çështje të reja. Më pas, përsëri nga asgjëja, një artiste kaliforniane ngriti akuza për ngacmim seksual kundrejt Roman Polanski-t. Përsëri u krijua një tjetër degëzim, duke rikujtuar çështjet gjysmë të mbyllura të polakut. Dhe jo, nuk mbaroi me kaq.
Pas deklaratave feministe të disa prej aktoreve më të rëndësishme (por dhe të atyre më pak të rëndësishme) në Hollywood, sytë kthehen nga…Kevin Spacey! A mund ta urresh Spacey-n? Jo. Kaq e thjeshtë është. Që nga roli antagonist në ‘Seven’, e deri tek protagonizmi i theksuar tek ‘House of Cards’, Kevin ka lënë vend për aq dashuri e mirënjohje nga publiku. E pastaj, askush nuk mund ta harrojë ‘American Beauty’, e shumë role të tjera që kanë vërtetuar karakterin unik në aktrim të Spacey-t. Por, le ta pranojmë: askush nuk është i interesuar për diçka të tillë. Jo Amerika në këto momente, të paktën. Duke pranuar akuzën për ngacmim seksual dhe drejtimin homoseksual në një deklaratë të vetme, aktori bëri që të gjithë të merren me këtë rast unik. Media është në mëdyshje: a të dekorojë Spacey-n për pranimin e orientimit seksual pas gjithë këtyre viteve apo ta ‘varë në litar’ për ngacmimin e bërë ndaj një të mituri (?) Nga ana tjetër, ‘Netflix’ mori një vendim: ndaloi transmetimin e ‘House of Cards’ deri sa të zgjidhet çështja e Kevin.
Dhe të gjitha këto, po, të gjitha këto, kanë ndodhur në më pak se një muaj. Krejt papritur mbiu kërpudha e ngacmimeve seksuale, pikërisht aty, në pikën më strategjike amerikane. Dhe askush nuk vë në dyshim vërtetësinë e deklaratave apo rrëfimeve të tilla. Thjesht, lind pyetja: “Pse tani?” Pse jo më parë (rreth një vit më parë)? Pse jo pas disa kohësh? Pse në një kohë kur politika amerikane po kritikohej më shumë se kurrë për shkak të zgjedhjeve të kreut të SHBA-ve? Duket si një shpërqendrim i masës, për të kthyer sytë nga pika më e nxehtë e vetë Amerikës. Sepse le ta pranojmë, askush, përpos SHBA-ve, nuk e predikon më mirë moralin, të drejtën, lirinë, feminizmin, demokracinë…Dhe pikërisht në çastin kur të gjitha këto kishin filluar të prekeshin nga kritikat e ashpra pak nga pak, plas bomba në Hollywood. T’i jetë dashur vallë një vit më shumë Angelina Jolie apo Gwyneth Paltrow për të shpërthyer ndaj asaj që i ka shqetësuar për vite me rradhë? … Megjithatë, mbetet thjesht një temë e hapur, asgjë më tepër.